Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatorja, znj. Nesrin Shileku-Shala, dhe delegacioni i BQK-së, zhvilloi takim bilateral me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, znj. Antonella Bassani, dhe ekipin e saj, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB).
Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit për avancimin e reformave në sektorin financiar të Kosovës, me fokus të veçantë në stabilitetin financiar, modernizimin e sistemeve të pagesave, mbrojtjen e konsumatorëve dhe përfshirjen financiare.
Guvernatori Ismaili prezantoi progresin në zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Sektorit Financiar, të mbështetur nga Banka Botërore, duke theksuar kontributin e tij në realizimin e prioriteteve strategjike të BQK-së dhe modernizimin e infrastrukturës financiare të Kosovës.

Vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone, në bashkëpunim me Bankën e Italisë (Banca d’Italia), i cili synon të mundësojë pagesa të sigurta, efikase dhe në kohë reale. Guvernatori Ismaili theksoi progresin në realizimin e projektit dhe planin për zhvillimin gradual të shërbimeve inovative shtesë të pagesave gjatë vitit të ardhshëm.
Në takim u diskutua gjithashtu për integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Guvernatori Ismaili prezantoi progresin në zbatimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, miratimin e akteve përkatëse nënligjore dhe përgatitjen e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në SEPA. Ai theksoi rëndësinë e amendamenteve të miratuara në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit (PPP/LFT), si dhe progresin në ndryshimet rregullative që dalin nga ky ligj dhe sqarimeve procedurale për finalizimin e procesit të aplikimit.
Palët diskutuan edhe për bashkëpunimin në forcimin e mbikëqyrjes së sjelljes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe përfshirjen financiare, përfshirë asistencën teknike të Bankës Botërore për hartimin e Strategjisë për Edukim Financiar për shendetin financiar.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore në zbatimin e reformave strategjike të BQK-së, duke riafirmuar përkushtimin institucional për forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit financiar, modernizimin dhe integrimin evropian.
Zëvendëspresidentja Bassani mirëpriti progresin e arritur dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm institucional. Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë në zbatimin e projekteve prioritare, me synim avancimin e mëtejmë të një sistemi financiar të qëndrueshëm, modern dhe gjithëpërfshirës në Kosovë.