Dogana e Kosovës ka deklaruar se Komisioni Evropian ka vlerësuar progresin e arritur në kuadër të takimit të 8-të të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime, të mbajtur në Bruksel me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Sipas Doganës, gjatë diskutimeve për fushën doganore, Komisioni Evropian ka veçuar zgjerimin e përdorimit të terminaleve doganore publike, uljen e tarifave të terminaleve, rritjen e të hyrave, luftimin e mashtrimeve doganore dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Komisioni Evropian mirëpriti gjithashtu Planin e përditësuar të Integritetit të Doganës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të tij. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe avancimit të mëtejmë dhe zbatimit të procedurave të zhdoganimit paraprak të mallrave të importuara, si një instrument i rëndësishëm për rritjen e efikasitetit dhe lehtësimin e tregtisë”, thuhet në njoftim.
Sipas vlerësimit të paraqitur për fushën doganore, Komisioni Evropian nuk ka evidentuar sfida apo kritika konkrete ndaj Doganës së Kosovës, por ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe përmbushjes së prioriteteve të dakorduara.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për modernizimin e procedurave, lehtësimin e tregtisë legjitime, përmirësimin e shërbimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve, si dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve doganore, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Takimet e Nënkomitetit të MSA-së përbëjnë një mekanizëm të rëndësishëm për vlerësimin e progresit dhe avancimin e reformave të Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian.