Mourinho: Po të isha Vinicius, do të isha larguar nga Real Madridi këtë verë

Prishtinë | 17 Tet 2026 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Jose Mourinho ka deklaruar se po të ishte në vendin e Vinicius Juniorit, me shumë gjasë do të ishte larguar nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës.

Sulmuesi brazilian është përballur vazhdimisht me fyerje dhe abuzime raciste nga tifozët kundërshtarë që prej transferimit te gjiganti spanjoll në vitin 2018.

Së fundmi, Vinicius u ndëshkua me karton të kuq në fitoren e Real Madridit ndaj Villarrealit, pasi tërhoqi për flokësh një kundërshtar. Për këtë veprim, ai u dënua me katër ndeshje pezullim, duke humbur edhe El Clasicon ndaj Barcelonës, që zhvillohet më 25 tetor.

Mourinho e ka vlerësuar lart karakterin e brazilianit, duke thënë se është e admirueshme mënyra se si ai vazhdon ta shijojë jetën dhe futbollin, pavarësisht gjithçkaje që ka përjetuar.

“Është një djalosh spektakolar, me të cilin është e lehtë të krijosh marrëdhënie të mira. Është një djalë fantastik dhe meriton shumë respekt për faktin që vazhdon të jetojë, të përballojë gjithçka dhe të buzëqeshë”, ka deklaruar Mourinho.

“Po të isha në vendin e tij, me shumë gjasë nuk do të isha këtu. Këtë verë do ta kisha detyruar largimin drejt një lige, një shteti apo diku tjetër, ku ka klube rivale dhe stadiume që e respektojnë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, dashuria për Real Madridin dhe qytetin e Madridit e ka bindur Viniciusin të vazhdojë qëndrimin në klub. Braziliani ka nënshkruar kontratë të re deri në vitin 2032.

“Pikërisht sepse e do Real Madridin dhe qytetin, sepse beson se gjërat mund të përmirësohen gjithmonë, ai rinovoi kontratën dhe vazhdon të buzëqeshë”, u shpreh Mourinho.

Trajneri shtoi se askush nuk mund t’ia marrë Viniciusit gëzimin për të jetuar, për të punuar dhe për të qenë pranë bashkëlojtarëve, edhe pse pranoi se ai, si çdo njeri tjetër, mund të ndikohet negativisht nga ajo që ndodh rreth tij.

Ndërkohë, Mourinho foli edhe për tensionet mes Real Madridit dhe drejtuesve të futbollit spanjoll, duke refuzuar të zgjerohet në këtë temë.

“Ka kufij dhe ka kufij. Mund ta justifikosh vetëm nëse bëhet fjalë për një rast klinik, përndryshe nuk ka justifikim”, deklaroi ai, pa dashur të hyjë më tej në polemikat e fundit.

Real Madridi vazhdon të kërkojë stabilitet në një sezon ku forma e Viniciusit ka qenë temë diskutimi, ndërsa trajneri Mourinho ka dalë në mbrojtje të brazilianit, duke vënë në pah presionin dhe trajtimin me të cilin ai është përballur ndër vite.

Të ngjashme