Vazhdon gjykimi për sulmin në Ibër-Lepenc, të akuzuarit paraqiten në gjykatë

Prishtinë | 19 Tet 2026 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin Ibër Lepenc në Zubin Potok, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku do të vazhdoj seanca gjyqësore ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.

Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Te dy vëllezërit Viqentijeviq janë në paraburgim, ndërkaq Igor Dimoviq, mbrohet në liri.

Jovan Viqentijeviq ngarkohet edhe me spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Sipas aktakuzës, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ndërsa Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin.

Sulmi dëmtoi infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi furnizimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, rrjedhimisht edhe prodhimin e energjisë elektrike.

Një nga provat ku mbështetet prokuroria është ekzaminimi krahasues i dheut të gjetur në çizmet e sekuestruara dhe mostrave të marra pranë vendit të shpërthimit. Sipas përshkrimit në aktakuzë, në këtë ekzaminim janë përfshirë edhe ekspertë të FBI-së amerikane.

Prokuroria pretendon se ngjashmëria ndërmjet mostrave i lidh vëllezërit Viqentijeviq me vendin e ngjarjes.

Të ngjashme