Policia italiane ka ndaluar 271 të rinj pas trazirave në Milano të dielën, në ditën e dytë të protestave kundër shërbimeve të dobëta publike dhe rritjes së kostos së jetesës.
Sipas autoriteteve, protestuesit janë përplasur me policinë, kanë plaçkitur dyqane dhe kanë dëmtuar prona.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve kanë djegur kontejnerë dhe kanë plaçkitur dyqane të pajisjeve sportive, si Decathlon dhe Arc’teryx, si dhe një dyqan të operatorit telefonik Vodafone.
Nga 271 personat e shoqëruar në stacionet policore, 32 janë arrestuar, përfshirë 23 të mitur dhe 13 shtetas të huaj. Ndërkohë, 28 persona të tjerë janë raportuar në autoritetet gjyqësore, raporton Reuters.
Trazirat pasuan përplasjet e së shtunës edhe në qytete të tjera të veriut të Italisë, përfshirë Bolonjën, Breshian, Bergamon dhe Torinon, ku 28 protestues u arrestuan.
Protestat në Itali vijnë në një kohë kur pakënaqësitë për rritjen e kostos së jetesës dhe përkeqësimin e shërbimeve publike janë shfaqur edhe në Francën fqinje, ku të shtunën u mbajtën protesta të dhunshme.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka dënuar dhunën dhe ka paralajmëruar një takim të qeverisë të hënën për të diskutuar mënyrat e trajtimit të situatës.