Paraqitja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Glauk Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka nxitur reagime të ashpra nga opozita në Kosovë, veçanërisht për mënyrën se si ai trajtoi çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë, shkruan Ekonomia Online.
Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kritikuar ashpër paraqitjen e Konjufcës, duke e cilësuar atë si “poshtëruese” për Kosovën.
“Një Kosovë të poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam pritur. Bota po na sheh çuditshëm, sikur ne të kemi vrarë e prerë popuj, pa e thënë të vërtetën për luftën dhe gjakderdhjen tonë për liri. Kurrë s’kemi me u ndalë deri te e vërteta jonë, o të pafytyrë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai i është drejtuar drejtpërdrejt Konjufcës me fjalët “Marre, Glauk”, ndërsa ka ngritur pikëpyetje edhe për qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) lidhur me këtë çështje.
“PDK, a jeni kundër?”, ka pyetur Haradinaj.
Musliu-Shoshi: Qasja ndaj Hagës la shumë për të dëshiruar
Kritika ndaj fjalimit të Konjufcës ka shprehur edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Sipas saj, qasja e zëvendëskryeministrit ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ishte e zbehtë dhe nuk e pasqyroi sa duhet rëndësinë e çështjes.
Ajo ka vlerësuar se një aktgjykim që e konsideron të padrejtë nuk mund të kundërshtohet vetëm përmes formulimeve të përgjithshme se në të ka gabime në përmbajtje dhe në fakte.
“Asnjë fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës! Dhe këtë qasje e dëgjuam pikërisht nga njeriu që është caktuar ta udhëheqë strategjinë shtetërore për Hagën!”, ka shkruar Musliu-Shoshi.
Ajo ka shtruar gjithashtu pyetjen se ku dhe kur duhet të artikulohet kundërshtimi ndaj aktgjykimit, nëse një gjë e tillë nuk bëhet fuqishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Sipas saj, padrejtësia nuk mund të kundërshtohet me diplomaci të zhvilluar vetëm sa për formalitet.
Përplasja Konjufca–Gjuriq në Këshillin e Sigurimit
Reagimet politike në Kosovë erdhën pas përplasjes mes zëvendëskryeministrit Glauk Konjufca dhe ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur të martën.
Gjatë fjalës së tij, Gjuriq foli për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë të pamjaftueshëm.
Ai kritikoi gjithashtu Kosovën dhe Shqipërinë për reagimet e tyre ndaj Gjykatës Speciale.
Megjithatë, në fjalimin e tij nuk u ndal te krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
Sa i përket zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, ai deklaroi se kjo çështje nuk mund të varet nga negociatat politike.
Pas kësaj, Konjufca reagoi duke rikujtuar viktimat shqiptare të luftës dhe duke kritikuar atë që e cilësoi si mohim të drejtësisë.
“Shteti i Serbisë me flamurin e Serbisë ka vrarë në vendin tim 12 mijë njerëz të paarmatosur, të pafajshëm shqiptarë. Asnjë fjalë nga ministri Gjuriq për 12 mijë shqiptarë të vrarë. Këtë e quaj unë mohim të drejtësisë”, theksoi Konjufca.
Në fjalën e tij, ai trajtoi edhe situatën e sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në komunat veriore, duke përmendur reduktimin e forcave të KFOR-it si tregues të përmirësimit të gjendjes së sigurisë.
Kosova kërkon përfundimin e mandatit të UNMIK-ut
Një tjetër çështje e ngritur vazhdimisht nga Kosova në Këshillin e Sigurimit është përfundimi i mandatit të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Institucionet e Kosovës kanë argumentuar se ky mision nuk e ka më rolin që kishte menjëherë pas luftës dhe shpalljes së pavarësisë.
Megjithatë, mandati i UNMIK-ut vazhdon të mbështetet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar më 1999, ndërsa ndryshimi i statusit të misionit kërkon vendimmarrje në nivel të këtij organi.
Përplasja në OKB dhe reagimet që pasuan kanë rikthyer në qendër të debatit politik në Kosovë përfaqësimin diplomatik të vendit, mënyrën e mbrojtjes së luftës së UÇK-së dhe qëndrimin institucional ndaj zhvillimeve në Hagë.