Behgjet Pacolli ka folur për VOX Kosova pas deklaratave të kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, i cili pretendoi se Donika Gërvalla i kishte thënë se emri i Pacollit figuron në dosjen gjermane të hetimeve për vrasjen e Jusuf Gërvallës.
Në një përgjigje të shkurtër për Vox Kosova, Pacolli ka paralajmëruar se avokatët e tij do t’i denoncojnë deklaratat e tilla, të Pecit dhe të Gërvallës, duke i cilësuar ato si shpifje.
“Sigurisht se avokatët e mi do t’i denoncojnë. Sa primitive e sa e ulët tingëllon kjo shpifje”, ka thënë Pacolli për VOX-in.
Deklarata e tij vjen pasi Gjykata Themelore e ka dënuar Faton Pecin për shpifje dhe fyerje në procesin gjyqësor me Behgjet Pacollin.
Peci ka thënë se do ta paraqesë pretendimin e tij edhe në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar se burimi i informacionit ishte Donika Gërvalla.
“Donika Jusuf Gërvalla më ka thënë që emri i Behxhet Pacollit figuron në dosjen gjermane në proces të hetimit të vrasjes fizike të Jusuf Gërvallës”, ka deklaruar Peci në ATV.
Ai ka thënë se nuk kishte dashur ta përfshinte më herët Gërvallën në këtë çështje, por se në procedurën e Apelit do ta tregojë burimin e pretendimeve të tij.
“Kur të shkojmë në Apel, unë kam me dalë edhe me kallxu. Nuk kam dashtë në fazën e parë me involve Donikën, me kallxu ku është burimi jem kryesor”, ka thënë Peci.
Ai ka përsëritur se nuk e di se çfarë roli mund të ketë pasur Pacolli, por se pretendon se emri i tij figuron në dosjen gjermane.