Presidentja rikthen në Kuvend ligjin për Specialen, katër javë kohë për shqyrtim

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka rikthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Këtë e kanë konfirmuar nga PDK-ja për Ekonomia Online.

Sipas konfirmimit, Kuvendi do të ketë katër javë kohë për shqyrtimin e ligjit, i cili ishte miratuar më 6 tetor 2026.

PDK-ja kishte kërkuar nga presidentja që ligji të kthehej në Kuvend, me arsyetimin se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike.

Partia kishte theksuar se kërkesa nuk nënkupton tërheqje nga nisma ligjore, por synon verifikimin përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij.

PDK-ja ka deklaruar se synon që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh dhe të hyjë në fuqi pa vonesa të panevojshme.

Të ngjashme