Kajtazi: Kthimi i ligjit për Dhomat e Specializuara do të ishte fatal për PDK-në

Prishtinë | 22 Tet 2026 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Opinionisti Vehbi Kajtazi ka kritikuar mundësinë që presidentja ta kthejë në Kuvend ligjin e ndryshuar për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se një veprim i tillë do të kishte pasoja politike për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në një postim, Kajtazi ka thënë se pret që Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ta rrëzojë ligjin, por sipas tij, kthimi i tij nga presidentja do të ishte i dëmshëm për Kosovën dhe PDK-në.

“Është e pritshme që Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara ta rrëzojë ligjin e ndryshuar. Por, për Kosovën, do të ishte fatale që atë ta kthente presidentja”, ka shkruar ai.

Sipas Kajtazit, PDK-ja do të duhej t’u jepte shpjegime qytetarëve për protestat e organizuara për tri javë, nëse ligji do të kthehej në Kuvend.

“Do të ishte fatale edhe për PDK-në, e cila do të duhej t’i sqaronte popullit se për çfarë i nxori njerëzit në protesta për tri javë. PDK-ja, këtë lojë do të duhej t’ua sqaronte edhe Ramush e Daut Haradinajt dhe Fatmir Limajt, të cilët ishin në ballë të protestës”, ka deklaruar Kajtazi.

Ai ka ngritur dyshime se ligji mund të jetë duke u përdorur për interesa brenda partisë, në kuadër të garës për kryetar të PDK-së.

“Nëse gara për kryetar të PDK-së paska arritur deri në pikën që ky ligj të përdoret si atu për njërin apo tjetrin kandidat, ky është fundi i kësaj partie”, ka shkruar ai.

Kajtazi ka kërkuar që ligji të hyjë në fuqi me përmbajtjen aktuale, duke përfshirë edhe nenin që parasheh vuajtjen e dënimit në Kosovë.

“Ligji duhet të hyjë në fuqi me këtë përmbajtje, përfshirë nenin që parasheh vuajtjen e dënimit në Kosovë. Salih Mustafa e Pjetër Shala janë të dënuar. Mbajtja e tyre në qendër paraburgimi është e papranueshme. Danimarka po sjell të dënuar në Kosovë. Pse Kosova mos t’i kthejë qytetarët e saj?”, ka thënë ai.

Në postimin e tij, Kajtazi i është drejtuar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke kërkuar që ai të sqarojë situatën brenda partisë lidhur me këtë çështje.

“Bedri Hamza duhet të dalë e të flasë: çfarë loje të pistë po luhet në PDK në kurriz të atyre që janë në Hagë? Ai e di mirë këtë. Kjo është edhe arsyeja e dorëheqjes së tij këtë kohë”, ka shkruar Kajtazi.

Ai ka theksuar se Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë dhe plotësojë ligjin, por sipas tij, kthimi i tij nga presidentja do ta zbehte efektin politik të çdo miratimi të mëvonshëm.

“Të gjithë e dimë se Kuvendi mund ta ndryshojë e ta plotësojë secilin ligj. Mund ta ndryshojë edhe këtë. Por, nëse e kthen presidentja, efekti politik i tij do të jetë zero, në çfarëdo forme që të miratohet më pas”, ka shkruar ai.

Kajtazi ka vlerësuar se kthimi i ligjit në Kuvend do të ishte në favor të kryeministrit Albin Kurti.

“Kthimi i ligjit në Kuvend do të ishte fatal për PDK-në dhe krediti më i madh politik për Albin Kurtin, i cili natën e votimit ua bëri të qartë se ‘po luhet një lojë’. Marrë e madhe!”, ka shtuar ai.

Të ngjashme