Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë kryesisë së kësaj partie, duke kërkuar që kjo të ndodhë sonte deri në orën 24:00.
Përmes një reagimi, Haxhiu ka kërkuar që Këshilli Drejtues i PDK-së të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të përkohshme, me mandat për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
“Krejt kryesia e PDK-së duhet të japë dorëheqje sonte, deri në orën 24:00”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka theksuar se Këshilli Drejtues duhet të marrë hapa konkretë brenda afatit të kërkuar, duke përsëritur kërkesën për përgjegjësi dhe ndryshime në udhëheqjen e partisë.
“Këshilli Drejtues duhet të mblidhet brenda 48 orëve dhe të caktojë një kryesi të provizore, me mandat të qartë për ta udhëhequr partinë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Haxhiu ka përmendur edhe çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fatin e ish-krerëve të saj, duke thënë se këto çështje nuk duhet të përdoren për interesa politike.
“Me UÇK-në, me fatin e krerëve të UÇK-së dhe me të ardhmen e Kosovës nuk mund të luhet për interesa politike, këtu nuk e tolerojmë askënd. Këto janë çështje që prekin themelet e lirisë, sakrificën e popullit tonë dhe dinjitetin e shtetit tonë”, ka shkruar Haxhiu.
Ai e ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryesisë dhe mbledhjen e Këshillit Drejtues, duke theksuar se është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete.
“Kërkesa është e qartë, dorëheqje sonte, mbledhje e Këshillit Drejtues brenda 48 orëve. Është koha për përgjegjësi dhe vendime konkrete”, ka shkruar ai.
Haxhiu ka shprehur mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.
“Me UÇK-në, me çlirimtarët. UÇK-ja është krenaria jonë. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”, shtoi Haxhiu.