Presidenti amerikan, Donald Trump, ka akuzuar Iranin se po përpiqet të rrisë çmimet e naftës para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të cilat janë planifikuar për 3 nëntor.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump pretendoi se Teherani po organizon sulme të rreme dhe po vendos mina për të ndikuar në tregun e naftës. Ai gjithashtu deklaroi se aktualisht, përmes Ngushticës së Hormuzit po kalon më shumë naftë sesa para fillimit të konfliktit.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë kritikoi edhe udhëheqjen iraniane për trajtimin e protestuesve, duke pretenduar se 75 mijë persona kanë humbur jetën brenda më pak se shtatë muajve. Ai nuk dha detaje të tjera për këtë shifër.
Trump e cilësoi regjimin iranian si “satanik” dhe përsëriti qëndrimin e tij se Irani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore.
“Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore dhe nuk do të ketë kurrë armë bërthamore!”, shkroi presidenti amerikan.
Deklaratat e Trump vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku programi bërthamor iranian, siguria rajonale dhe furnizimi me naftë mbeten çështje kryesore të përplasjes mes dy vendeve.