Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje shqiptarëve, veçanërisht atyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që në zgjedhjet e 25 tetorit për Parlamentin e Serbisë të votojnë Koalicionin Shqiptar me numrin 17.
Çitaku ka kërkuar mobilizim të qytetarëve shqiptarë për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të tyre në Parlamentin e Serbisë.
“Sa më shumë deputetë shqiptarë në Parlament, aq më shumë përfaqësim, mbrojtje, të drejta e fuqi për shqiptarët. Aq më shumë mundësi për t’u përballur me politikat diskriminuese dhe përndjekëse ndaj tyre”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se secili shqiptar duhet të kontribuojë në mobilizimin e votuesve për zgjedhjet e së dielës.
“Prandaj, nesër, secili shqiptar e secila shqiptare jo vetëm të votojë, por edhe të bëhet pjesë e mobilizimit, që çdo votues shqiptar të dalë në zgjedhje”, ka deklaruar Çitaku.
Duke e cilësuar këtë proces si të rëndësishëm për shqiptarët në Luginën e Preshevës, Çitaku ka përfunduar thirrjen e saj me mesazhin: “Ky është një moment përcaktues për shqiptarët atje. Le të jetë një ditë e madhe për të gjithë!”
Ajo ka uruar sukses për Koalicionin Shqiptar në zgjedhjet e 25 tetorit.