Ukraina tani ka një “lidhje të qëndrueshme” me Starlink, deklaroi ministri i saj i mbrojtjes, pasi ushtria ukrainase përjetoi ditë të tëra me lidhje të kufizuar në rrjetin e internetit satelitor.
Kievi mbështetet te Starlink dhe versioni i tij për përdorim ushtarak, Starshield, për drejtimin e dronëve dhe operacione të ndryshme brenda Ukrainës; megjithatë, javën e kaluar, Ukraina akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se i kishte kërkuar pronarit Elon Musk që të vendoste kufizime në këtë shërbim.
Sipas Ukrainës, kjo nënkuptonte se dronët humbnin lidhjen kur lëviznin me shpejtësi prej 161 km/h (100 milje në orë) ose më shumë. Trump e mohoi një gjë të tillë, por më pas shtoi se Musk e kishte “rikthyer” shërbimin në gjendjen e mëparshme.
Sipas BBC, ministri i Mbrojtjes, Yevhenii Khmara, deklaroi se tani në rrjet mund të arrihen shpejtësi mbi 400 km/h, çka tregon se kapaciteti i plotë është rikthyer.
“Ky rezultat është tejet i rëndësishëm për vijën e frontit, për ushtarët tanë, për përdorimin e dronëve, për logjistikën dhe për komunikimet”, tha ai në një deklaratë të shtunën.