Pas 12 vjetësh në pushtet, partia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiqi, SNS-ja, i ka humbur zgjedhjet e së dielës, më 25 tetor, në Serbi, raporton Ekonomia Online.
Fituesja është Lista Studentore, e cila, sipas organizatës që monitoron zgjedhjet, CRTA, ka fituar 51.7 për qind të votave.
Sipas të dhënave të saj, bazuar në rezultatet nga një mostër e vendvotimeve, SNS-ja e Vuçiqit ka fituar 40.42 për qind.
Humbjen e ka pranuar edhe vetë Vuçiqi, vetëm një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve.
“Bazuar në mostër, është e qartë se i kemi humbur këto zgjedhje. Ka fituar Lista Studentore, e cila do të ketë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne rreth 105”, ka thënë Vuçiqi nga selia e partisë në Beograd.
Megjithatë, ai e ka akuzuar Listën Studentore se është bllokuese dhe e dëmshme për Serbinë, duke shtuar se fitorja e saj është arritur falë ndihmës së shteteve që, sipas tij, nuk ia duan të mirën Serbisë.
Nga partitë serbe, pritet që asnjë tjetër të mos e kalojë pragun zgjedhor prej 3 për qind, përfshirë edhe partinë e udhëhequr nga Ivica Daçiqi, SPS-në. Sipas CRTA-s, kjo parti ka fituar pak më shumë se 2 për qind të votave.
Shqiptarët me dy ulëse
Ndërkaq, shqiptarët në Serbi kanë garuar në këto zgjedhje me një listë të vetme, me emrin “Koalicioni Shqiptar”.
Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti kanë siguruar mandatet e deputetëve. I pari i kësaj liste, Shaip Kamberi, e ka cilësuar këtë rezultat si “arritje historike”.
“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz. Si prijës i listës, falënderoj secilin qytetar të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, të gjitha subjektet politike për bashkimin dhe kryeministrin Albin Kurti për angazhimin e tij. Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Në legjislaturën e fundit, shqiptarët janë përfaqësuar me vetëm një deputet në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberin.
Rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” e ka cilësuar historik edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u ka bërë vazhdimisht thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të dalin për të votuar.
“Arritje e jashtëzakonshme! Dy mandate të projektuara në Kuvendin e Serbisë, me garën për të tretin ende të hapur! Bashkimi politik i shqiptarëve po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar”, ka shkruar Kurti.
Më tej, Kurti ka theksuar se Aleksandar Vuçiqi e ka pranuar publikisht humbjen në zgjedhje përballë Listës Studentore, ndërsa ka shtuar se edhe Ivica Daçiqi po përballet me një humbje të rëndë, pasi lista e tij, sipas projeksioneve preliminare, mbetet nën pragun zgjedhor prej 3 për qind.
“Urime të gjithë qytetarëve dhe subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që e bënë të mundur këtë bashkim!”, ka theksuar kryeministri i Kosovës.
Zgjedhjet e parakohshme, të shpallura nga Vuçiqi në shtator, u mbajtën pas gati dy vitesh protesta të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit të perceptuar dhe prirjeve gjithnjë e më autoritare.
Protestat u nxitën nga vdekja e 16 personave, pas shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në qytetin e Novi Sadit, në vitin 2024.