Në orën 16:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për vrasjen e një gruaje në Pejë, raporton Ekonomia Online.
Kjo u bë e ditur në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion.
Të dielën, në Vitomiricë të Pejës, Arlinda Zekaj u vra, ndërsa i dyshuari vazhdon të jetë në arrati.
Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.
Në reagimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se organet kompetente duhet të hetojnë jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar kërkesat e viktimës dhe nëse kanë përmbushur detyrimin ligjor për ta mbrojtur atë.
Ajo ka kërkuar që të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e sigurisë së viktimës.
“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka theksuar presidentja.