Mahmuti i kërkon kryeprokurorit të hapë hetim penal për vrasjen e Arlinda Zekajt

Prishtinë | 26 Tet 2026 | 11:21 | Nga Ekonomia Online

Politologu Bardhyl Mahmuti i ka kërkuar publikisht kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, që urgjentisht të urdhërojë hapjen e procedurës penale ndaj përgjegjësve institucionalë në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Mahmuti ka thënë se viktima kishte paralajmëruar autoritetet për rrezikun e drejtpërdrejtë që i kanosej dhe kishte kërkuar ndihmë urgjente, por kërkesa e saj, sipas tij, nuk u mor parasysh.

Ai ka vlerësuar se rasti duhet të shërbejë si pikënisje për t’i dhënë fund praktikës kur viktimat nuk marrin ndihmë nga institucionet, pavarësisht paralajmërimeve për rrezikun me të cilin përballen.

Mahmuti ka thënë se letra e Arlinda Zekajt përbën provë materiale se autoritetet shtetërore kanë kryer veprën penale të mosdhënies së ndihmës personit, jeta e të cilit është në rrezik.

“Prandaj kërkoj publikisht nga kryeprokurori i Shtetit të Kosovës, z. Zejnulla Gashi, që urgjentisht të urdhërojë hapjen e procedurës penale kundër përgjegjësve institucionalë në vrasjen e Arlinda Zekajt”, ka shkruar ai.

“Një veprim i tillë është minimumi që duhet të bëhet për të institucionalizuar përgjegjësinë dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë për këtë lloj vepre penale”.

Të ngjashme