Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke e cilësuar rastin si dëshmi të dështimit të rëndë të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë.
Në një postim, Ramadani ka theksuar se vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, por ato kishin dështuar ta mbronin.
Ai ka kërkuar që ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të japë llogari për dështimin e strategjisë kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Sipas Ramadanit, seanca e jashtëzakonshme duhet të shërbejë për zbardhjen e përgjegjësive institucionale dhe jo për kamuflim politik.
Deputeti ka kërkuar gjithashtu që Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë rast të udhëhiqet nga opozita, me qëllim të garantimit të paanshmërisë dhe një hetimi të pavarur.
Ramadani ka theksuar se drejtësia për Arlinda Zekajn kërkon përgjegjësi konkrete dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që, për shkak të neglizhencës, dështuan ta mbrojnë.