Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e kunatës së tij, Arlinda Zekaj, në Vitomiricë të Pejës, vazhdon të jetë në arrati, raporton Ekonomia Online. Sylaj dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të tipit Golf 3.
Gruaja nga Peja, e cila u vra të dielën në mbrëmje, tri ditë para rastit i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj.
Me një letër drejtuar prokurores në Pejë, ajo kishte kërkuar urgjentisht marrjen e masave ndaj atyre që, siç kishte shkruar, kishin dështuar t’i përmbushnin detyrat e tyre për mbrojtjen e jetës së saj.
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime. Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje! Gruaja me ligj në dorë po e vritka gruan – jo burri. E dhimbshme deri në asht”, thuhej në letrën e saj.
Sipas Policisë, ditën kur u vra, në orën 19:00, viktima kishte raportuar dhunë në familje në Stacionin Policor në Pejë. Bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe më pas ishte ndaluar për 48 orë.
Më vonë, sipas njoftimit të Policisë, viktima ishte dërguar «me vullnetin e saj» në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Rreth orës 21:10, Policia ishte njoftuar se ajo ishte gjetur pa shenja jete.
Në orën 15:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës për vrasjen e një gruaje në Pejë, raporton Ekonomia Online.
Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.