Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje nga përfaqësuesit institucionalë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se shteti ka dështuar ta mbrojë, ndonëse ajo kishte kërkuar ndihmë, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Deliu-Kodra ka kritikuar reagimin e institucioneve ndaj dhunës dhe vrasjeve të grave, duke thënë se deklaratat dhe fjalimet në Kuvend nuk kanë mjaftuar për t’i parandaluar rastet e përsëritura. Ajo u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Qeverisë që të marrin përgjegjësi dhe të mos presin një tjetër vrasje për të reaguar.
“Përtej deklaratave të një zonjës në krye të një strategjie e cila do të duhej ta luftonte edhe femicidin dhe dhunën e rastet të cilat i përsëritim e i numërojmë këtu, mendoj se duhet të jemi më të përgjegjshëm. Nëse një zonjë nuk jeton më, dhe ka kërkuar përgjegjësi prej shtetit, a mjaftojnë një minutë heshtje, këto deklarime prej nesh këtu që duhet ta dënojmë dhunën, a është ky një normalizim që po ndodh në Kosovë. A dini çka i bie kjo, operacioni u krye me sukses, pacienti vdiq. 95 raste të grave u lexuan nga e para e kuvendit, vdekjet të cilat kanë përcjellë shoqërinë kosovare, nga vrasës të cilit nuk janë dekurajuar nga fjalimet tona. Nuk janë ndjerë të kërcënuar prej fjalimeve në këtë kuvend, a ka shtet këtu? A ka Kosova institucione apo ne ende duhet të thirremi në procedura, në ligje? Ka ligje të cilat nuk po zbatohen, me mijëra herë kemi folur për dështimin e atyre që janë thirrur për ta respektuar në legjislacionin ën fuqi”, tha Deliu-Kodra.
Ajo ka kërkuar që përgjegjësia institucionale të mos mbetet vetëm në deklarata, duke theksuar se vrasja e Arlindës ka lënë një fëmijë pa nënë.
“Sot ju pyes juve përfaqësues së qeverisë, a do ta bëjmë ne gjumin e qetë deri në vrasjen tjetër, apo do të dalim pas një vrasje tjetër në seanca plenare e pastaj të themi se kemi kryer detyrën tonë, mjaft është. Mua më vjen marre nga ky fjalim i imi në kuvend. dikush duhet të dorëhiqet, të jap përgjegjësi. Ministre e keni përgjegjësinë. Një grua e ka lënë fëmijën e saj jetim, shteti ka dështuar ta mbroj”, tha ajo.
