Prokuroria në Pejë kërkon paraburgim për Jeton Sylaj nën dyshimin për mospërfillje të gjykatës

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Jeton Sylaj, i dyshuar për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë të Pejës.

I pandehuri dyshohet se nuk e ka respektuar vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të nxjerrë më 16 tetor 2026, me të cilin i ishte ndaluar ushtrimi i dhunës fizike apo psikike, pengimi i lëvizjes, si dhe ofendimi, shqetësimi apo kërcënimi i viktimës.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ai dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tashmë të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Po ashtu, dyshohet se ia ka marrë rrobat që ajo i kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë.

Të ngjashme