Sillen në gjykatë Shabani dhe Qerimi, vazhdon gjykimi ndaj tyre

Prishtinë | 27 Tet 2026 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Dy të akuzuarit për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, janë sjellur në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku pritet që të vazhdoj gjykimi ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.

Gjykimi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit kishte nisur rishtazi, ndërsa të dy të akuzuarit për spiunazh sërish ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Në seancën e 9 tetorit, Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Beqiri, kishte njoftuar se për shkak të afrimit të datës së pensionimit të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, ai do të zëvendësohet nga gjykatësja Donika Shala-Abdyli. Për pasojë, gjykimi ka nisur rishtazi.

Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajsinë, për veprën penale të spiunazhit as gjatë seancës fillestare të mbajtur më 17.03.2025. Qerimi e ka pranuar fajsinë për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 19.022025 ka ngritur Aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrrem Qerimit për veprën penale “spiunazh”. Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu.

Bedri Shabani e Muharrem Qerimi dyshohet se i kanë dhënë informacione Shërbimit Sekret Serb (BIA), mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Siç është përshkruar në Aktakuzë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë zhvilluar takime fizike në Serbi me një zyrtar të lartë të BIA-s dhe një ish-Komandant të Policisë së Serbisë e udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në njërën nga masakrat që ishte kryer në Kosovë gjatë luftës.

Shabani e Qerimi akuzohen se këto informacione i transmetuan edhe përmes telefonave dhe e-mail-eve.

Të dyshuarit ngarkohen me veprën penale “spiunazhi”, ndërsa Muharrem Qerimi edhe me veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Të ngjashme