Nga potenciali ekonomik te konkurrueshmëria ndërkombëtare, edicioni i dytë i Lead the Future vuri në pah rëndësinë e investimeve në njerëz, teknologji dhe inovacion si faktorë kyç për rritjen e bizneseve në Kosovë.
Rritja e bizneseve, investimet në zhvillimin e kapaciteteve dhe fuqizimi i konkurrueshmërisë ishin në qendër të edicionit të dytë të konferencës “Lead the Future 2: Build. Scale. Compete.”, organizuar nga Banka për Biznes (BPB) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Konferenca mblodhi rreth 300 ndërmarrës vendorë, përfaqësues të institucioneve financiare, partnerë ndërkombëtarë dhe ekspertë për të diskutuar hapat konkretë drejt rritjes së qëndrueshme të bizneseve në Kosovë.
Në hapje të konferencës, Mimoza Godanci-Aliu, Kryeshefe Ekzekutive e BPB-së, theksoi se ndërtimi i një biznesi është vetëm hapi i parë, ndërsa rritja dhe konkurrueshmëria kërkojnë investime të vazhdueshme në teknologji, njohuri dhe procese moderne. Duke ritheksuar përkushtimin e BPB-së për t’i mbështetur bizneset në çdo fazë të zhvillimit, ajo u shpreh: “Nuk ofrojmë vetëm financim, ofrojmë edhe njohuri dhe ekspertizë për bizneset që rriten me ne.”
Sergiy Maslichenko, Drejtor i BERZH-it për Kosovën, vlerësoi frymën ndërmarrëse, kreativitetin dhe përkushtimin e bizneseve vendore, duke i cilësuar ato si shtylla të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. “Bizneset janë një nga shtytësit kryesorë të suksesit të Kosovës në të ardhmen”, theksoi ai, duke shtuar se për ta shfrytëzuar potencialin e tyre, ndërmarrësit kanë nevojë jo vetëm për financim, por edhe për këshillim dhe trajnime.
Maslichenko vlerësoi partneritetin e BERZH-it me BPB-në, si institucioni i parë financiar në rajonet ku operon BERZH-i që iu bashkua programit Youth in Business dhe ndër të parët në Ballkanin Perëndimor që iu bashkua programit Go Digital in the Western Balkans.
Në kuadër të diskutimit për konkurrueshmërinë e Kosovës, Peter Bielik, Drejtor i Asociuar në BERZH, dhe Argjira Kadrijaj Dushi nga BPB, diskutuan se si investimet në zhvillimin e aftësive profesionale, digjitalizim, kërkim dhe zhvillim mund të rrisin produktivitetin dhe t’u mundësojnë bizneseve të depërtojnë në tregje të reja.
Ndërkaq, përfaqësuesit e kompanive Rroni Fer, Gerti Foods dhe Recura Financials, në një panel të moderuar nga Valon Canhasi nga Hallakate, ndanë përvojat dhe mësimet e tyre mbi zgjerimin e eksporteve, planifikimin e investimeve dhe fuqizimin e proceseve të brendshme të bizneseve.
Përkushtimi i BPB-së për të sjellë ekspertë ndërkombëtarë në Kosovë u reflektua edhe përmes prezantimit të Boris Shurija, psikolog i aplikuar, i cili trajtoi psikologjinë e ndryshimit dhe mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj stresit. Përmes prezantimit të tij, ai i inkurajoi ndërmarrësit të rishikojnë mënyrën se si përballen me pasigurinë dhe të zhvillojnë një qasje më konstruktive ndaj presioneve dhe sfidave që shoqërojnë udhëheqjen dhe rritjen e një biznesi.
Duke iu referuar zhvillimit të inteligjencës artificiale, Shurija theksoi se në një kohë kur teknologjia po i bën njohuritë dhe aftësitë teknike gjithnjë e më të qasshme, cilësitë njerëzore si gjykimi kritik, empatia, kurioziteti dhe kreativiteti po marrin rëndësi edhe më të madhe. “Kur inteligjenca bëhet më e lirë dhe më e qasshme, duhet të mbështetemi te cilësitë njerëzore: gjykimi, empatia, lidhja me të tjerët, kurioziteti dhe ndjeshmëria estetike”, theksoi ai.
Konferenca vazhdoi me Lead Labs, sesione individuale që lidhën ndërmarrësit me ekspertë të industrisë, duke u ofruar bizneseve këshillim profesional të përshtatur me sfidat dhe planet e tyre të zhvillimit.
Të ndërtuara sipas nevojave specifike të secilit biznes, këto sesione ofruan orientim praktik për qasje në financim dhe shërbime këshilluese, me qëllim shndërrimin e ambicieve për rritje në hapa konkretë drejt zhvillimit.
Në kuadër të eventit u vunë në fikus edhe dy programet e BERZH-it, Youth in Business dhe Go Digital në Ballkanin Perëndimor, të cilat zbatohen në partneritet me BPB-në. Diskutimet nxorën në pah se si kombinimi i financimit, këshillimit dhe trajnimeve u ndihmon bizneseve t’i kthejnë planet e tyre të zhvillimit në investime konkrete.
Programi Youth in Business kombinon financimin me mbështetje këshilluese për ndërmarrësit e rinj, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe qeverive të Italisë dhe Luksemburgut.
Ndërkaq, programi Go Digital në Ballkanin Perëndimor kombinon financimin me asistencë teknike të financuar nga Bashkimi Evropian dhe grante stimuluese në vlerë prej 10% të shumës së kredisë së kualifikuar.
Përmes edicionit të dytë të Lead the Future, BPB dhe BERZH ritheksuan përkushtimin e tyre për të mbështetur rritjen e qëndrueshme të bizneseve në Kosovë, duke kombinuar qasjen në financim me njohuri, ekspertizë dhe mundësi për zhvillim.
Mesazhi i konferencës ishte i qartë: Kosova ka potencial të madh ndërmarrës, por shndërrimi i këtij potenciali në konkurrueshmëri afatgjatë kërkon investime të vazhdueshme në njerëz, teknologji dhe inovacion.