Në Gjykatën Supreme të enjten po mbahet seanca gjyqësore ku shqyrtohet kërkesa për mbrojtjie të ligjshmërisë në rastin ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Në këtë rast, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Para Gjykatës, i akuzuari Jeton Vllasaliu tha se e kundërshton aktgjykimin me të cilin u dënuar me burgim të përjetshëm.
“E mbështes fjalën e avokatit dhe e kundërshtoj aktgjykimin e shkallës së parë”, deklaroi i akuzuari Jeton Vllasaliu.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e 28 majit 2025, Jeton dhe Nexhat Vllasaliun i dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi. Vendimin e Themelores e kishte vërtetuar më pas edhe Gjykata e Apelit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/