Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka shprehur paqartësi lidhur me mandatin dhe kompetencat e grupit punues për hartimin e strategjisë në mbështetje të ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Blakaj ka thënë se ende nuk dihet se çfarë kompetencash konkrete do të ketë ky grup dhe në çfarë mënyre do të ndikojë në proceset gjyqësore.
Ai ka theksuar se një prej problemeve kryesore me të cilat janë përballur ekipet mbrojtëse ka qenë mungesa e mjeteve të mjaftueshme financiare, gjë që, sipas tij, ka ndikuar edhe në vazhdimësinë e përbërjes së tyre.
“Nuk e dimë ende se cili është mandati i saktë i këtij grupi punues për hartimin e strategjisë. Normalisht, mbrojtësit e ekipeve të të akuzuarve janë palë para gjykatës dhe janë ata që do të parashtrojnë argumentet edhe në shkallën e dytë. Nuk e di se si do të ndihmojë ky grup. Ekipeve mbrojtëse u duhet mbështetje financiare dhe nuk e di nëse ajo që kanë pasur deri më tani ka qenë e mjaftueshme”, ka deklaruar Blakaj në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova.
Ai ka rikujtuar se gjatë procedurave gjyqësore ka pasur raste kur avokatët janë tërhequr dhe janë zëvendësuar, duke vlerësuar se këto ndryshime kanë ndikuar në dobësimin e mbrojtjes.
“Disa avokatë ishin tërhequr dhe ishin ndërruar gjatë procedurës. Mendoj se me largimin e atyre mbrojtësve është dobësuar edhe më shumë mbrojtja. Problemi kryesor ishte mungesa e mjeteve financiare të mjaftueshme. Nuk e di nëse ky grup punues që është takuar ka kompetenca të tilla apo nëse mund të ndikojë që ekipet mbrojtëse të koordinohen më mirë me njëra-tjetrën”, ka theksuar ai.