Konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Është konstituuar Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani është zotuar publikisht se komisioni do të punojë mbi faktet dhe argumentet reale mbi vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai po ashtu tha se pret që puna e komisionit të mos politizohet.

“E kujtojmë që vrasja e Arlinda Zekajt është alarm për të gjithë ne dhe prandaj qëllimi është se ky komision të punojë mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe përgjegjësive konkrete. Ky komision nuk është farsë, është komision që nuk do të bëjë raport politik, por do të bëjë raport mbi bazën e fakteve. Duke thënë për vete, si njëri prej jush, pres që secili të ketë synim të njëjtë, të mos e politizojmë komisionin, por ta kryejmë punën që na është besuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Ramadani.

Ramadani njoftoi se në komision përfshihen tri faza, faza e hetimeve që përfshin mbledhjen e provave, vlerësimin e hetimeve dhe përgatitjen e raportit final.

“Asnjë grua në Kosovë nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi që është drejtuar shtetit për ndihmë dhe asnjë institucion nuk duhet të jetë mbi përgjegjësinë që e ka për të mbrojtur jetën e secilit qytetar të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, u shpreh i përkushtuar që kjo çështje të trajtohet me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë.

“Komisioni Hetimor natyrisht e ka mandatin që të hetojë në detaje dhe profesionalzëm dhe pajtohem me kryesuesin e komisionit që ne si anëtarë të iu qasemi me profesionalizëm këtij fenomeni në radhë të parë e pastaj me theks të veqantë rastit të Arlinda Zekajt. Për të hetuar, verifikuar në detaje secilin veprim, mosveprim, mospërmbushje të obligimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse…Po shprehi dedikimin dhe përkushtimin tim që do ta trajtojmë me profesionalizëm dhe më përgjegjësi të madhe, të plotë”, tha Rrustemi, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e Komisionit, Besa Kabashi Ramaj nga PDK-ja, theksoi se përgjegjësia e shtetit nis që në momentin kur një grua kërkon mbrojtje, e jo vetëm pas vrasjes së saj.

“Detyra jonë nuk është me zëvendësu drejtësinë, mirëpo ka me qenë shumë me rëndësi me siguru llogaridhënie institucionale dhe politike mbi bazën e fakteve dhe provave. Prandaj edhe pse do t’I dërgojmë deri të mërkurën, do ti dërgojmë në detaje planin e veprimit. Është e rëndësishe që gjithqka të përfundojë saktë, sa më shpejtë…Përgjegjësia jonë si shtet nuk përfundon te zyrtari që e ka trjtu rastin, shtrihet dhe te drejtuesit që e kanë pasur detyrimin të sigurojnë funksionimin e shtetit tonë. Sepse përgjegjësia e shtetit nuk fillon kur një grua vritet, por kur ajo kërkon të mbrohet”, tha Rama.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, u shpreh se anëtarët e Komisionit kanë përpara një përgjegjësi të rëndësishme në trajtimin e kësaj çështjeje.

“E ndjera Arlinda i ka thënë të gjitha që ne sot s’mund t’i themi dhe e jona është të punojmë shumë në këtë komision hetimor”, tha ajo.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

Kuvendi i Kosovës e kishte themeluar këtë komision më 29 tetor, me 90 vota për. Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo u kishte dërguar letër institucioneve duke alarmuar se jeta e saj ishte në rrezik.

Të ngjashme