Anthony Gordon beson se Barcelona e ka potencialin për ta mposhtur çdo kundërshtar dhe nuk e konsideron Real Madridin apo Paris Saint-Germainin më të fortë se skuadrën katalanase.
Në konferencën për media para përballjes me Aston Villan në Ligën e Kampionëve, futbollisti anglez foli për përshtatjen e tij në Barcelonë dhe pranoi se pret më shumë nga vetja, përcjell “Gazeta Express”.
“Kam pasur një fillim të mirë, por e di që mund të ofroj më shumë. Ende nuk e kam treguar nivelin tim më të mirë”, tha Gordon.
Ai theksoi se duhet të marrë më shumë përgjegjësi në fazën ofensive, duke mos hezituar të jetë më egoist para portës.
“Unë kërkoj nga vetja të shënoj dhe të krijoj gola, të marr përgjegjësi dhe të ndryshoj rrjedhën e ndeshjeve. Ndoshta duhet të jem më egoist, të dribloj më shumë dhe të provoj më shpesh të shënoj”, shtoi ai.
Duke komentuar humbjet ndaj PSG-së dhe Real Madridit, Gordon ishte i qartë: “Ata nuk janë më të mirë se ne, edhe pse na mposhtën. Kundër Real Madridit mund të fitonim dhe mendoj se ishim më të mirë. Krijuam shumë raste, por nuk luajtëm në nivelin tonë të zakonshëm. Gjithsesi, mund ta mposhtim çdo skuadër”.