Në 37-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, janë mbajtur homazhe në vendin ku ata ranë, në nderim të veprës dhe sakrificës së tyre për lirinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Në këtë përvjetor, ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se rënia e tyre përbën një ngjarje të veçantë në historinë e Kosovës, pasi ndodhi shumë vite para fillimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka vlerësuar se Zhitia dhe Fazliu e nisën luftën për çlirimin e vendit dhe se porosia e tyre ishte të luftohej për liri deri në flijim.
“E vërtetë është që në çdo vend beteje, në çdo vend ku pushojnë heronjtë e dëshmorët, jo vetëm që kujtimet ngjallen, por edhe dhimbja dhe krenaria. Këtu jemi sot në vendin e rënies së heronjve tanë. Është një ngjarje ndryshe në historinë tonë, një ngjarje e hershme, një rënie në luftë shumë vite para se të fillonte brezi ynë i UÇK-së. Pra, në një mënyrë mund të themi se këta e nisën luftën për çlirimin e Kosovës. Është një luftë që ishte nisur ndër breza, por i dhanë një ndryshim gjithë gjendjes dhe porosia e tyre ishte që do të luftojmë për liri deri në flijim. Edhe ja, sot qëndrojmë këtu të lirë, qëndrojmë aty ku ata ranë, qëndrojmë me bashkëluftëtarë, me familjarë”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se sakrifica e Zhitias dhe Fazliut ka kontribuar në lirinë dhe shtetin që Kosova gëzon sot.
“Sot jemi për të treguar respektin tonë ndaj tyre, ndaj sakrificës së tyre, ndaj familjes, sakrificën e madhe që kanë dhënë për vendin tonë, për lirinë që sot e gëzojmë, për shtetin që sot kemi, një mrekulli të vërtetë si rezultat i sakrificës së madhe. Koha kur këta e kanë dhënë jetën ka qenë edhe në një farë mënyre një tregues se çka po ndodh ose çka do të vazhdojë të ndodhë me vendin tonë. E dimë që pas vrasjes së tyre kanë ndodhur gjëra të tjera nëpër gjithë pjesët e Kosovës. Kemi pasur një rezistencë nga ana e UÇK-së, po një luftë të vërtetë ndaj okupatorit, sepse u pa me këtë ndodhi se kah po na çon historia. Kështu që ne duhet të jemi të bashkuar gjithmonë, duhet ta kujtojmë të kaluarën, ta kuptojmë sakrificën e heronjve tanë, të dëshmorëve tanë, të vendit tonë, në mënyrë që kjo të mos na ndodhë kurrë në të ardhmen”, tha Rama.
Vëllai i heroit Fahri Fazliu, Fadili tha se pavarësisht viteve që kanë kaluar, dëshmorët mbeten afër kujtesës së qytetarëve.
“Kjo kohë vazhdimisht vjen e përkujtojmë se është një thënie ku thuhet: Sa vite më larg, aq më afër janë dëshmorët. Kështu që janë bërë shumë vite, por janë shumë afër nesh”, tha ai.
