Aleanca: Humbja e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes, dëshmi e dështimit të Qeverisë

Prishtinë | 02 Nën 2026 | 13:54 | Nga Ekonomia Online

Aleanca ka reaguar ashpër ndaj humbjes së 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadër të Planit të Rritjes, duke e cilësuar këtë si dëshmi të radhës të dështimit dhe paaftësisë së Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në reagimin për media në Facebook, Aleanca thekson se në një kohë kur qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe bizneset po mbyllin dyert, Qeveria po dështon të sigurojë mundësi zhvillimi për vendin.

“Përderisa çmimet rriten çdo ditë e bizneset po mbyllin dyert, Qeveria shënon edhe një dështim të radhës, humbjen e 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Aleanca vlerëson se kjo humbje dëshmon mungesën e vizionit, dijes, punës dhe llogaridhënies nga ana e ekzekutivit.

“Ky pushtet po shkëlqen vetëm në dështim. Kjo qeveri ka dëshmuar se është e zonja vetëm për një gjë, të shkatërrojë çdo shans për zhvillim dhe t’ia vërë vulën përfundimtare të paaftësisë çdo sektori të jetës në vend”, thuhet më tej në reagim.

Duke kritikuar edhe gjendjen e marrëdhënieve ndërkombëtare, Aleanca thekson se dështimet e Qeverisë nuk kufizohen vetëm në ekonominë vendore, por shtrihen edhe në politikën e jashtme dhe diplomaci.

“Të humbësh miliona euro fondesh pa kthim në një nga vendet më të varfra të Evropës nuk është gabim apo vonesë burokratike, është papërgjegjshmëri absolute dhe goditje e drejtpërdrejt ndaj të ardhmes së Kosovës”, thuhet në reagim.

Në përfundim, Aleanca thekson se pasojat e këtij dështimi do t’i bartin qytetarët e Kosovës, e jo zyrtarët qeveritarë.

“Për fat të keq, faturën e këtij dështimi total nuk e paguajnë dështakët qeveritarë, por qytetarët e Kosovës!”, përfundon reagimi i Aleancës.

Të ngjashme