Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se projektbuxheti i vitit 2027 prej 4.27 miliardë eurove i votuar nga Qeveria të hënën dhe mënyra e shpërndarjes, janë vetë për blerje të qetësisë sociale afatshkurte.
“Po subvencionojmë importe dhe po i ngrisim çmimet. Nuk po krijojmë kapital dhe pasuri të re brenda shtetit. Ky cikël e ka një fund dhe dikur shpërthen sepse është cikël që e han veten. Dikur s’ka me pasë më mundësi me shpërnda rritje, sepse tkurrja e prodhimit vendor dhe ikja e parave jashtë s’kanë me e përballu faturën e inflacionit”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se eknomokisht politikat e Qeverisë Kurti “janë thellësisht vdejkeprurëse në afatgjatë”.
“Kryeministër, kushdo që po të këshillon për ekonomi, ose nuk po din, ose po ta bën gropën. Por bashkë me vete, po na bën gropen edhe krejt Kosovës. Këto politika janë shumë afatshkurtra dhe mund të duken mirë në sipërfaqe. Por ekonomikisht janë thellësisht vdekjeprurëse në afatgjatë. Nuk mjafton vetëm futja e projekteve në buxhet, edhe pse edhe si vlerë janë të pamjaftueshme. Duhet edhe implementimi i tyre. Konsultone çdo libër, të majtë apo të djathtë. Nuk është çështja te rishpërndarja, por te krijimi i vlerës për me pasë çka me rishpërnda”, ka shkruar Ahmeti.
Në Projektbuxhetin e vitit 2027, një e katërta është paraparë për paga. Edhe
Ahmeti ka thënë se është vështirë të kritikohet rritja e pagave, rritja e shtesave për fëmijët e pensionet. Por, ai thotë se çmimet po rriten dhe përballimi i kostos së jetesës po bëhet gjithnjë më i vështirë.
“Duhet ta kuptojmë pse kemi inflacionin e tretë më të madh në Evropë edhe pse përdorim euron si valutë. Edhe më me rëndësi, duhet ta kuptojmë pse këto politika dhe kjo ekonomi do ta hajnë vetën. Pra, vetëm Turqia me Lirën dhe jostabilitetin e saj, dhe Ukraina me luftë mbi pesëvjeçare, kanë rritje më të lartë të çmimeve se Kosova sot. Ne përballemi me naftë dy euroshe, ushqim qindra eurosh në muaj, fatura të rrymës të papërballueshme, e deri te espressot e 1.5 eurove. Këto nuk janë vendime të qefit të ofruesve të mallrave dhe shërbimeve. Një pjesë patjetër është inflacioni i importuar botëror. Por një pjesë e madhe definitivisht janë politikat e gabuara shtetërore”, tha Ahmeti.
Ai ka thënë se inflacioni i lartë, kur nuk ka masa për sektorin privat e as investime kapitale në prodhim, kthehet në “tatim të fshehtë që i transferon paratë nga kursimet e qytetarëve tek shteti”.
“Çmimet rriten, dhe bashkë me to rriten edhe tatimet që i paguajmë shtetit (TVSH-ja). Kur paga nuk del për të kaluar muajin, njerëzit marrin nga kursimet. Ngadalë, ato që qytetarët kanë kursyer, kalojnë direkt në buxhetin e shtetit. Kjo ka ndodhur tashmë”, tha Ahmeti.
Ai ka thënë po ashtu se më shumë para po dalin jashtë vendit, si pasojë e politikave të gabuara.
“E dyta, qeveria këto para shtesë po i dërgon të gjitha në ndihma, shtesa e rritje të pagave në sektorin publik. Këto para njerëzit natyrshëm i shpenzojnë në importe: supermarkete, produkte të huaja e rrymë që nuk po e prodhojmë vetë. Paratë na dalin jashtë vendit, dhe meqenëse s’ka prodhim, punëtorët tanë në sektorin privat kërkojnë rritje pagash thjesht me i përballu çmimet. Kjo rritje e kostos pa rritje të produktivitetit i bën eksportet tona edhe më të shtrenjta e më të pakonkurrueshme, duke e thelluar deficitin e bilancit të pagesave. Më shumë e më shumë para na dalin jashtë. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh”, ka shkruar Ahmeti. Edhe
Ahmeti ka thënë se çmimet në Kosovë po rriten e mundësitë po zvogëlohen.
“E treta, futja e parave të gatshme tek konsumi (kërkesa) pa rritur prodhimin vendor (oferta) bën pikërisht atë që po shohim: më shumë para që ndjekin mallra të huaja, pa pasur ofertë të prodhimeve vendore, duke e mirëmbajtur në jetë rritjen e çmimeve – inflacionin. Meqenëse përdorim euron, nuk kemi në dispozicion politika të kamatave. Kjo e bën mungesën e investimit në prodhim vendor edhe më të rrezikshëm, sepse infrastruktura dhe prodhimi janë mjetet e vetme. Çmimet po rriten e mundësitë po zvogëlohen. Kjo ka ndodhë dhe ka me ndodhë edhe ma shumë”.