Komanda e kontingjentit grek në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) i është dorëzuar majorit Ioannis Tzonis.
Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës është mbajtur në kampin “Film City” në Prishtinë, në prani të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ceremonia është udhëhequr nga zëvendëskomandanti i këtij misioni, gjeneral brigade Onur Çakıcı.
Gjatë ceremonisë, majori Athanasios Papoutsis ia ka dorëzuar komandën majorit Ioannis Tzonis, duke përmbyllur mandatin e tij në krye të kontingjentit grek.
Me këtë rast, gjeneral brigade Çakıcı ka vlerësuar profesionalizmin dhe kontributin e majorit Papoutsis dhe pjesëtarëve grekë në misionin e NATO-s, veçanërisht në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ai gjithashtu ka mirëpritur komandantin e ri, majorin Tzonis, duke riafirmuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it ndaj të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i ka ritheksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes.
Misioni i NATO-s ka bërë të ditur se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me përgjegjësitë e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.