BE thotë se Kosova rrënoi prona private në veri derisa kontestimet gjyqësore ishin në shqyrtim

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Operacionet e fundit të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës, përfshirë rrënimin e pronave private pa respektimin e duhur të procedurave ligjore, nxjerrin në pah mangësitë në mbrojtjen efektive të së drejtës së pronës.

Kështu thotë Komisioni Europian në Raportin e Progresit të sivjetmë për Kosovën për aksionet e ndërmarra së fundmi në veri të vendit ku u rrënuan disa objekte, për të cilat u tha se ishin ndërtuar pa leje, raporton Gazeta Express.

Raporti thotë se masat e pakthyeshme po zbatohen ndërkohë që kontestimet gjyqësore janë ende në pritje të shqyrtimit, duke ngritur “shqetësime lidhur me qasjen në mjete juridike efektive”.

Kjo çështje u trajtua te kapitulli i të drejtave themelore.

Aty gjithashtu thuhet se korniza ligjore dhe institucionale për promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut është kryesisht e konsoliduar, por nevojitet zbatim më i fuqishëm i saj.

“Përpjekjet e vazhdueshme për harmonizimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë ato të përcaktuara në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë të mirëseardhura, por kërkojnë më shumë dinamikë”.

Kuvendi, thuhet në raport, gjithashtu duhet të nisë me shpejtësi një proces transparent për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe zëvendësve të tij, pas konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të vitit 2026.

Rekomandimet e Komisionit të vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Kosovës iu rekomandua që të forcojë mbrojtjen dhe ushtrim efektiv të të drejtave të njeriut, veçanërisht të të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve joshumicë, lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, fëmijëve dhe viktimave të krimit, si dhe të drejtave procedurale. Të sigurojë zbatimin efektiv të mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe të miratojë Ligjin për Njohjen e Statusit, Shërbimet dhe Përfitimet për Personat me Aftësi të Kufizuara.

Të ngjashme