Raporti i BE-së: Kryeministri dhe zyrtarë të lartë qeveritarë përdorën gjuhë të ashpër dhe akuza ndaj medias dhe gazetarëve

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për Kosovën për vitin 2026, në të cilin ka evidentuar një sërë shqetësimesh për gjendjen e lirisë së medias dhe shprehjes në vend.

Ndonëse vlerëson se Kosova ka garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e shprehjes, KE-ja thekson se mjedisi për funksionimin e lirë, të pavarur dhe profesional të mediave duhet të përmirësohet.

Sipas raportit, gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, numër ky që paraqet rënie të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak.

Në mesin e rasteve të evidentuara janë pengimi i punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuha e ashpër e përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, ndaj gazetarëve dhe mediave.

“Gjatë periudhës raportuese janë regjistruar 35 raste të sulmeve fizike dhe verbale apo kërcënimeve ndaj gazetarëve, një rënie e konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak. Sulmet përfshinin pengimin e punës së gazetarëve nga zyrtarët e sigurisë, si dhe akuzat dhe gjuhën e ashpër të përdorur nga zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë kryeministrin, ndaj gazetarëve dhe mediave”, thuhet në raport.

Komisioni Evropian kërkon që zyrtarët publikë të përmbahen nga deklaratat që shënjestrojnë ose diskreditojnë gazetarët, ndërsa sulmet dhe frikësimi i tyre të dënohen. Raporti përmend edhe arrestimin dhe ndalimin e përkohshëm të një kameramani nga Policia e Kosovës, si dhe ndalimin e të paktën katër personave për kërcënimin e gazetarëve. Rastet e frikësimit kanë përfshirë edhe ngacmimet në internet dhe publikimin e të dhënave personale të gazetarëve.

Në aspektin legjislativ, KE-ja vlerëson se Kosova ende nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin me acquis-në e BE-së për lirinë e shprehjes dhe mediat. Raporti evidenton se ende nuk janë miratuar Ligji i ri për Radio Televizionin e Kosovës dhe Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve. Po ashtu, kërkohet që Ligji për shpifjen civile të harmonizohet me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pas shfuqizimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nga Gjykata Kushtetuese, KE-ja kërkon hartimin e një projektligji të ri në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe zgjerimin e kompetencave rregullatore edhe në mediat online.

Si zhvillim pozitiv, raporti evidenton funksionalizimin e bordeve të RTK-së dhe KPM-së. Megjithatë, procesi i emërimeve është kritikuar nga shoqëria civile për mungesë transparence dhe parregullsi. Po ashtu, theksohet se Bordi i Ankesave i KPM-së nuk ka pasur kuorum që nga nëntori i vitit 2023.

Një pjesë e raportit i kushtohet gjendjes financiare të RTK-së, e cila, sipas KE-së, gjatë periudhës raportuese është përballur me krizë të thellë financiare, të shkaktuar nga bllokada institucionale. Kjo gjendje është lehtësuar pjesërisht pas konstituimit të Kuvendit në shkurt të vitit 2026, por nuk ka pasur progres në krijimin e një modeli afatgjatë, të qëndrueshëm dhe të pavarur të financimit.

Raporti bën të ditur se, pas ndarjes së buxhetit për gjysmën e parë të vitit 2026, RTK-së iu desh të paguante interesin për huan prej 2.7 milionë eurosh që kishte marrë nga Qeveria për të përballuar vështirësitë financiare nga korriku deri në tetor të vitit 2025. Gjendja është rënduar edhe nga borxhet që rrjedhin nga kontratat e mëparshme dhe një pagesë prej 950 mijë eurosh e urdhëruar nga gjykata.

Sipas raportit, 75 për qind e buxhetit të përgjithshëm të RTK-së shpenzohet për paga, ndërsa ndërtesa ku funksionon transmetuesi publik është në gjendje shumë të dobët dhe nuk është pronë e tij.

Komisioni Evropian evidenton edhe mungesën e transparencës në pronësinë dhe financimin e mediave. Regjistri i mediave përfshin vetëm radiot dhe televizionet e licencuara, ndërsa të dhënat për pjesët e tregut që zotërojnë mediat nuk janë publike.

Kjo situatë, e kombinuar me qëndrueshmërinë e kufizuar financiare, veçanërisht te mediat private të pavarura, i bën ato të varura nga donatorët e huaj ose të cenueshme ndaj ndikimit politik dhe presionit financiar. Mediat e pavarura, veçanërisht ato që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, vazhdojnë të kenë mungesë të financimit të mjaftueshëm.

Raporti thekson gjithashtu se gazetarët përballen rregullisht me vonesa dhe pengesa gjatë kërkesave për qasje në dokumente publike. Mediat në gjuhën serbe kanë vështirësi në marrjen e informacioneve në gjuhën e tyre, për shkak të zbatimit jo të duhur të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Sa u përket kushteve të punës, Komisioni vëren se gazetarët vazhdojnë të përballen me paga të ulëta, kontrata afatshkurtra dhe status të pasigurt ligjor.

“Transmetuesi publik është i vetmi medium që ka sindikatë, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) vazhdon t’i përfaqësojë gazetarët dhe profesionistët e mediave, pavarësisht financimit të kufizuar.

Kushtet e punës për gazetarët vazhdojnë të jenë të dobëta dhe shpesh karakterizohen nga pagat e ulëta, kontratat afatshkurtra dhe statusi i pasigurt ligjor”, thuhet tutje në raport.

Në anën tjetër, KE-ja vlerëson se nuk ka kufizime në përdorimin e rregullt dhe të ligjshëm të internetit dhe mediave online që do të përbënin ndërhyrje të padrejtë në të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes.

Të ngjashme