Kusari për raportin e progresit: BE-ja ka përfshirë kritikat tona për lirinë e medias në Kosovë

Prishtinë | 04 Nën 2026 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të raportit të progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar se në kapitullin për lirinë e shprehjes dhe të medias janë përfshirë disa nga shqetësimet dhe kritikat e ngritura nga organizatat dhe aktivistët e kësaj fushe.

Kusari ka thënë se Kosova ka shënuar përmirësim të kufizuar në këtë fushë, ndërsa si një prej zhvillimeve kryesore ka veçuar strategjinë e re të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e cila parasheh që rastet që përfshijnë gazetarët të kenë prioritet.

Sipas saj, kjo është e rëndësishme për trajtimin më të shpejtë të rasteve gjyqësore që lidhen me shpifjen dhe fyerjen.

Ajo ka theksuar gjithashtu se në raportin e BE-së janë përfshirë kritikat e adresuara lidhur me përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe vendimet e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për ndëshkimin e mediave.

“Çdo kritikë që e kemi bërë, BE-ja na paska dëgjuar dhe e paskan përfshirë”, ka shkruar Kusari, duke shtuar se kjo e motivon të vazhdojë angazhimin në fushën e lirisë së medias.

Në reagimin e saj, Kusari ka përmendur edhe rekomandimet që Kosova duhet t’i zbatojë, përfshirë përafrimin e legjislacionit me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA), Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe direktivën kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (Anti-SLAPP).

Po ashtu, ajo ka theksuar nevojën për ndryshimin e ligjeve për KPM-në dhe RTK-në, si dhe të Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve.

Kusari ka përmendur gjithashtu rolin e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilat janë përfshirë në këtë kapitull të raportit.

Në fund, ajo ka vënë në dukje se raporti përmend edhe kryeministrin Albin Kurti në kapitullin për lirinë e medias, duke shtuar se këtë pjesë ua lë gazetarëve për ta trajtuar.

Të ngjashme