Çitaku priti delegacionin e Institutit Republikan, biseduan për forcimin e demokracisë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë

Prishtinë | 09 Nën 2026 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka pritur në takim një delegacion të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), të kryesuar nga drejtori për Evropë dhe Euroazi, Stephen Nix.

Gjatë takimit, Çitaku shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kontributin e IRI-së në forcimin e demokracisë së brendshme në PDK, si dhe në mbështetjen e zhvillimit demokratik të partive politike dhe institucioneve të Kosovës në përgjithësi.

Çitaku theksoi se PDK po hyn në një periudhë të rëndësishme të organizimit të brendshëm, gjatë së cilës do ta zgjedhë lidershipin e ri dhe do të përgatitet për përgjegjësitë dhe sfidat e ardhshme politike.

Drejtori Nix shprehu gatishmërinë e IRI-së për të vazhduar mbështetjen për proceset demokratike në Kosovë dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e institucioneve të qëndrueshme dhe të pjesëmarrjes aktive në jetën politike.

Çitaku ritheksoi se vlerat e përbashkëta që promovojnë PDK dhe IRI, liria, pluralizmi politik, sundimi i ligjit dhe llogaridhënia, përbëjnë një bazë të fortë për qëndrueshmërinë e demokracive liberale përballë sfidave të sotme globale.

Të ngjashme