Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), bazuar në të dhënat dhe projeksionet e institucioneve ndërkombëtare për vitin 2026, ka përgatitur një analizë krahasuese të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, e cila evidenton dallimet në madhësinë e ekonomive, GDP-në për kokë banori dhe ritmet e rritjes ekonomike.
Sipas projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2026, ekonomia e Kosovës vlerësohet në rreth 14.15 miliardë dollarë, ndërsa Serbia arrin 111.2 miliardë, Bosnja dhe Hercegovina 37.26 miliardë, Shqipëria 32.77 miliardë, Maqedonia e Veriut 21.24 miliardë dhe Mali i Zi 10.12 miliardë dollarë.
Edhe në GDP-në nominale për kokë banori, Kosova mbetet në nivelin më të ulët në mesin e gjashtë ekonomive të rajonit, me rreth 8,900 dollarë sipas projeksioneve të FMN-së për vitin 2026.
Nga ana tjetër, sipas Bankës Botërore, Kosova pritet të shënojë rritje reale ekonomike prej 3.6% gjatë vitit 2026, duke dëshmuar potencial për rritje. Megjithatë, rritja ekonomike në përqindje nuk duhet ngatërruar me fuqinë reale të ekonomisë, madhësinë e prodhimit, produktivitetin dhe nivelin e mirëqenies.
AKB vlerëson se sfida kryesore e Kosovës nuk është vetëm rritja e GDP-së, por shndërrimi i kësaj rritjeje në zhvillim të qëndrueshëm, prodhim vendor dhe konkurrueshmëri ekonomike.
Për këtë arsye, AKB kërkon nga institucionet e Kosovës që politikat ekonomike të orientohen drejt:
– Rritjes së prodhimit vendor dhe fuqizimit të industrisë përpunuese.
– Zgjerimit të eksporteve dhe zvogëlimit të deficitit tregtar.
– Nxitjes së investimeve vendore dhe të huaja.
– Sigurimit të energjisë së qëndrueshme dhe me çmime konkurruese.
– Rritjes së produktivitetit dhe aftësimit profesional të fuqisë punëtore.
– Digjitalizimit dhe modernizimit të ndërmarrjeve.
– Lehtësimit të tregtisë dhe eliminimit të barrierave rajonale.
Banka Botërore vlerëson se eliminimi i gjysmës së barrierave të mbetura tregtare në rajon mund të rrisë GDP-në deri në 12.5% në periudhën afatmesme. Ky potencial duhet të shndërrohet në mundësi konkrete për bizneset dhe ekonominë e Kosovës.
Mesazhi i AKB-së është i qartë: Kosovës i duhet më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë investime dhe më shumë produktivitet!
Nuk mjafton të shënojmë rritje ekonomike në statistika, nëse kjo rritje nuk reflektohet në fuqizimin e ndërmarrjeve, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
AKB kërkon një partneritet të mirëfilltë ndërmjet Qeverisë, institucioneve dhe sektorit privat për hartimin e një programi zhvillimor deri në vitin 2030, me objektiva të matshme dhe mbështetje konkrete për bizneset.
Kosova duhet të kalojë nga ekonomia e konsumit dhe importit drejt një ekonomie të prodhimit, eksportit dhe konkurrueshmërisë.