Naser Oriq është arrestuar të martën në mëngjes në zonën e Olovës, në Bosnjë e Hercegovinë, në kuadër të një aksioni policor që po zhvillohet kundër personave të dyshuar për ndihmë në fshehjen e të arratisurit Gjorgje Zdrale.
Në të njëjtin aksion, në Sarajevën Lindore, është arrestuar edhe ish-deputetja e Kuvendit Kombëtar të Republikës Srpska, Nikolina Šljivić. Në mesin e të arrestuarve është edhe Mesud Mustafic.
Aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe po zhvillohet në disa lokacione në Bosnjë e Hercegovinë. Operacioni po realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës Srpska (MUP RS) dhe Agjencia Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA), me asistimin e agjencive të tjera policore.
Aksioni po zhvillohet me urdhër të Prokurorisë Publike të Republikës Srpska dhe vendim të Gjykatës së Qarkut në Banja Luka.
Sipas raportimit të mediumit boshnjak “Klix.ba”, që nga mëngjesi janë duke u bastisur shtëpitë dhe objektet e tjera që i përdor Oriq.
Hetimet kanë përfshirë edhe Mesud Mustaficin nga Vogoshca, për të cilin hetuesit dyshojnë se, pa qenë në dijeni, ka ndihmuar në transferimin e Zdrales nga Sarajeva drejt Kantonit të Tuzlës.
Đorđe Ždrale dyshohet se më 2 gusht, në Sarajevën Lindore, ka tentuar ta vrasë Kostа Pandurevicin dhe që nga ajo kohë ndodhet në arrati.Sipas informacioneve të deritanishme, Ždrale nuk është gjetur as gjatë aksionit të së martës.