Sot fillon sistemi i pagesave të menjëhershme, tani të gjitha transfertat kombëtare kryhen në çast

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 09:04 | Nga Ekonomia Online

Sistemi i ri do të mundësojë kryerjen e transfertave kombëtare mes institucioneve të ndryshme financiare pothuajse në kohë reale, brenda 10 sekondash. Sistemi i pagesave të menjëhershme shkurton në këtë mënyrë ndjeshëm kohën e përfitimit të fondeve të kredituara në llogaritë bankare.

Ditën e sotme nis funksionimin sistemi i ri i pagesave të menjëhershme (instant payments). Sistemi i ri do të mundësojë kryerjen e transfertave kombëtare mes institucioneve të ndryshme financiare pothuajse në kohë reale, brenda 10 sekondash.

Më parë, transfertat në kohë reale ishin të mundura vetëm për transfertat që kryheshin brenda të njëjtit institucion financiar. Për transfertat mes institucioneve të ndryshme financiare, koha e ekzekutimit ndryshonte nga disa orë deri në një ditë pune, në varësi të kohës kur nisej transferta.

Sistemi i pagesave të menjëhershme shkurton në këtë mënyrë ndjeshëm kohën e përfitimit të fondeve të kredituara në llogaritë bankare.

Në një fazë të dytë, sistemi i instant payments do të sjellë edhe një alternativë për kryerjen e pagesave elektronike në pikat e shitjes.

Banka e Shqipërisë po punon për një sistem të QR Code kombëtar. Duke gjeneruar një QR Code dhe duke e skanuar me telefonët celularë, konsumatorët mund të kryejnë pagesa në njësitë e shitjes së produkteve apo shërbimeve.

Qëllimi i Bankës së Shqipërisë është të krijohet një sistem me ndërveprim të lehtë. Gjenerimi i QR Code do të jetë i unifikuar, me sistem të centralizuar që e gjeneron dhe mundëson shfaqjen e tij në çdo aplikacion, pavarësisht se cili institucion e përdor. Kryerja e pagesës mundësohet me një skanim të thjeshtë, për disa sekonda. Gjithashtu, sistemi do të mundësojë verifikimin e pagesës, për të shmangur kryerjen e pagesave të gabuara.

Këta komponentë që do të krijohen mbi sistemin e pagesave të mënjehershme synojnë që ai të përdoret sa më shumë për pagesa në pikën e shitjes, në formë të ngjashme me kartat.

Aktualisht, këto pagesa mund të kryhen vetëm nëpërmjet kartave dhe terminaleve POS. Por, pagesat me POS kanë kosto relativisht të larta transaksioni, sidomos kur bëhet fjalë për pagesat me vlerë të vogël. Në këto raste, shpeshherë tregtarët aplikojnë një shumë minimale për pranimin e pagesave me kartë ose ia ngarkojnë komisionet bankare të transaksionit blerësve të mallrave ose shërbimeve.

Gjithashtu, këto pagesa nuk shkojnë në llogarinë e shitësit në kohë reale, por kërkojnë disa ditë për finalizimin e tyre të plotë, pasi procesohen nga skemat ndërkombëtare të pagesave me kartë.

Ndërkohë, pagesat e çastit bazohen në konceptin e kalimit direkt të fondeve nga llogaria e blerësit në llogarinë e shitësit dhe i gjithë transaksioni finalizohet pothuajse në kohë reale. Në vend të kartës, zakonisht blerësi përdor telefonin e tij celular të lidhur me llogarinë bankare dhe shërbimin e e-banking për të kryer pagesën.

Gjithashtu, kostot do të jenë shumë më të ulëta. Me ndryshimet rregullatorë të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë i ka përjashtuar nga komisionet transfertat kombëtare elektronike deri në vlerën e 40 mijë lekëve.

Të ngjashme