Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga institucionet e vendit që të ulen dhe të gjejnë zgjidhje për problemin e menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se kjo çështje nuk është problem vetëm i kompanisë “Pastrimi” apo i Kryeqytetit, por prek të gjithë qytetarët.
“Sinqerisht ky është një problem që nuk i takon vetëm një kompanie, nuk i takon vetëm kryeqytetit. Është problem i secilit prej qytetarëve që jetojnë në këtë vend dhe në fund të fundit ne jemi familjarë edhe e bëjmë bërllogun edhe e qesim në kontejner, duhet me e heq dikush. Po ballafaqohemi me probleme të bërllogut kudo, në secilin ambient”, ka deklaruar Haxhiu.
Duke folur për përgjegjësinë institucionale, ajo ka kritikuar përfshirjen, siç i quajti, inateve partiake në zgjidhjen e këtij problemi.
“Përgjegjësia institucionale e secilit, qoftë kryetarit të komunës, qoftë ministrit, që më shumë po e shoh si probleme partiake, inate partiake, njëjtë siç po shkon edhe me Lojërat Mesdhetare. E kam thënë në Kuvend, po e them edhe sot. Pak është me rëndësi kush është kryetar i qytetit, pak është me rëndësi kush është kryeministër, kush është ministër i financave”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka bërë thirrje që kryetari i Prishtinës, kryeministri dhe ministri i Financave të ulen për të gjetur një zgjidhje, duke lënë anash dallimet partiake.
“Ministri i Financave, kryeministri, kryetari i Prishtinës, duhet vërtet të ulen, duke lënë prapa edhe partinë nga vijnë, ta zgjidhim këtë problem një herë e përgjithmonë”, ka deklaruar deputetja.
“Problemi i bërllogut në kryeqytet është problem që duhet të zgjidhet nga institucionet e vendit. Prandaj unë në këtë moment prapë bëj thirrje, do të bëj thirrje në çdo vend kudo që jam, le të ulen seriozisht, ta marrin shumë seriozisht problemin me mbeturina, me bërllog. Pra me pas një qytet e një kryeqytet të pastër, është obligim i secilit qytetar, por mbi të gjitha kur institucionet nuk i kryejnë detyrat e veta, çka ka me thënë qytetari? Prandaj ministri i financave, kryeministri, kryetari i Prishtinës, duhet vërtet të ulen, duke lënë prapa edhe partinë nga vijnë, ta zgjidhim këtë problem njëherë e përgjithmonë”, potencoi Haxhiu.
Ajo ka ngritur shqetësimin edhe për gjendjen e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi”, duke thënë se gjatë bisedës me ta ka kuptuar se disa prej tyre kanë kredi dhe përballen me vështirësi financiare.
Haxhiu ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes financiare për kompaninë, duke rikujtuar se buxheti publik krijohet nga taksat e qytetarëve.
“Ku me pa një punëtor i cili ka një pagë minimale, i cili është me kredi sepse unë bisedova me ta, secili prej tyre kishte edhe kredi. Këta kanë edhe këtë problem, në fund të fundit se janë edhe familjarë. Prandaj mos ta shohim si individ e mos pësojnë për shkak të inateve personale të partive. Në këtë rast të kryetarit të Prishtinës edhe ministrit të financave, le ta nënshkruajnë kredinë, sepse e ka obligim. Nuk janë mjetet e buxhetit që i takojnë një ministri për ta keqpërdorur buxhetin. Pra buxheti është i qytetarëve, sepse me taksat e qytetarëve plotësohet buxheti”, deklaroi ajo.
