Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari për veprën penale të ngacmimit seksual.
Kjo masë i është caktuar të pandehurit L.Z, pasi gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që i pandehuri nëse lihet në liri, të ndikojë në të dëmtuarën e mitur, e cila është dëshmitarja kryesore në këtë çështje penale apo në çfarëdo mënyre edhe tek familja e të dëmtuarës.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjykata po ashtu ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri ekziston mundësia reale që të përsërisë veprime të ngjashme ndaj të dëmtuarës së mitur.
“Andaj duke pas parasysh rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, kjo masë tani për tani mbetet e vetmja masë e cila mund të përmbush qëllimin e masës për sigurimin e të pandehurit në procedurë.”, thuhet në njoftim.