SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, ka pritur në takim kryeprokurorin në detyrë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Dren Paca.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, në këtë takim është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në koordinimin e veprimeve, shkëmbimin e informacionit dhe intensifikimin e komunikimit ndërmjet strukturave përkatëse.

Gjatë bisedës është vënë në pah rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e krimit të organizuar, i cili në shumë raste i tejkalon kufijtë shtetërorë.

SPAK-u ka theksuar se bashkërendimi i veprimeve dhe partneriteti ndërmjet institucioneve të drejtësisë mbeten thelbësore për të përballuar me efikasitet këtë fenomen.

Takimi është bërë i ditur përmes një njoftimi të SPAK-ut në rrjetet sociale.

Të ngjashme