​Seanca për vrasjen e veprimtarit Enver Hadrit, ambasadori Bajrami: Drejtësia mbetet obligim moral dhe politik

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda u mbajt seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e veprimtarit shqiptar të të drejtave të njeriut, Enver Hadri.

Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i cili në këtë seancë ka qenë në përfaqësim të Republikës së Kosovës, në shenjë solidariteti me familjen Hadri dhe ekipin e tyre ligjor, të cilët po vazhdojnë përpjekjet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e tij.

“Enver Hadri, intelektual, patriot dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut nga Kosova, u vra në Bruksel më 25 shkurt 1990”, shkroi Bajrami.

Ai ka theksuar se, siç kanë konstatuar tashmë gjykatat belge, vrasja ishte organizuar dhe kryer nga shërbimet sekrete jugosllave.

“Enveri u vra për punën e tij dhe për atë që përfaqësonte. Vrasja e tij ishte pjesë e politikës së Beogradit kundër Kosovës, një politikë që nuk përfundoi më 1990”, ka deklaruar Bajrami.

Sipas tij, kjo politikë vazhdoi me krimet gjenocidale, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës gjatë viteve 1998-1999, ndërsa vazhdon edhe sot përmes mohimit të vazhdueshëm të këtyre krimeve.

“Që drejtësia belge po e shqyrton ende këtë rast pas më shumë se 36 vjetësh është domethënëse në vetvete. Kosova i është mirënjohëse Belgjikës për këmbënguljen e saj”, ka shkruar ai.

Bajrami ka theksuar se drejtësia për Enver Hadrin dhe familjen e tij mbetet obligim moral dhe politik.

Të ngjashme