Në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda u mbajt seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e veprimtarit shqiptar të të drejtave të njeriut, Enver Hadri.
Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i cili në këtë seancë ka qenë në përfaqësim të Republikës së Kosovës, në shenjë solidariteti me familjen Hadri dhe ekipin e tyre ligjor, të cilët po vazhdojnë përpjekjet për të vënë para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e tij.
“Enver Hadri, intelektual, patriot dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut nga Kosova, u vra në Bruksel më 25 shkurt 1990”, shkroi Bajrami.
Ai ka theksuar se, siç kanë konstatuar tashmë gjykatat belge, vrasja ishte organizuar dhe kryer nga shërbimet sekrete jugosllave.
“Enveri u vra për punën e tij dhe për atë që përfaqësonte. Vrasja e tij ishte pjesë e politikës së Beogradit kundër Kosovës, një politikë që nuk përfundoi më 1990”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas tij, kjo politikë vazhdoi me krimet gjenocidale, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës gjatë viteve 1998-1999, ndërsa vazhdon edhe sot përmes mohimit të vazhdueshëm të këtyre krimeve.
“Që drejtësia belge po e shqyrton ende këtë rast pas më shumë se 36 vjetësh është domethënëse në vetvete. Kosova i është mirënjohëse Belgjikës për këmbënguljen e saj”, ka shkruar ai.
Bajrami ka theksuar se drejtësia për Enver Hadrin dhe familjen e tij mbetet obligim moral dhe politik.