Edukimi për barazi, respekti për dinjitetin njerëzor dhe parandalimi i dhunës që në moshë të hershme ishin temat e diskutimit të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, me nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës.
Gërvalla, së bashku me deputeten Edona Llalloshi, zhvilloi këtë bashkëbisedim në ambientet e shkollës “Gjin Gazulli”, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku pjesëmarrës ishin nxënës nga shkollat “28 Nëntori”, “7 Shtatori”, “H.K. Prishtina” dhe “Abdyl Frashëri”.
Në një postim, Gërvalla ka theksuar se edukimi për barazi duhet të nisë shumë përpara se fëmijët të përballen me padrejtësitë e jetës, duke u mësuar të respektojnë njëri-tjetrin dhe të mos e lidhin forcën me dhunën.
“Edukimi për barazi fillon shumë përpara se fëmijët të përballen me padrejtësitë e jetës. Fillon në mënyrën si i mësojmë të shohin njëri-tjetrin, si të kuptojnë dinjitetin njerëzor dhe si të mos e ngatërrojnë kurrë forcën me dhunën. Fëmijët që rriten me këto vlera nuk mësojnë vetëm të mos lëndojnë të tjerët, por edhe të mos pranojnë padrejtësinë si diçka të zakonshme”, ka shkruar ajo.
Gërvalla ka bërë të ditur se diskutimi me të rinjtë kishte për qëllim të trajtojë jo vetëm mesazhet kundër dhunës, por edhe faktorët që ndikojnë në formimin e bindjeve, raportet mes vajzave dhe djemve dhe mënyrën se si kuptohet respekti në jetën e përditshme.
“Bashkë me deputeten znj. Edona Llalloshi, këtë bisedë e zhvilluam sot me nxënës të kryeqytetit nga shkollat e mesme ‘28 Nëntori’, ‘7 Shtatori’, ‘H.K. Prishtina’ dhe ‘Abdyl Frashëri’, në ambientet e shkollës ‘Gjin Gazulli’ në Prishtinë, në kuadër të fushatës ‘16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore’. Bashkëbisedimi me të rinjtë tanë ishte një rast për të shkuar përtej mesazheve të zakonshme kundër dhunës dhe për të trajtuar atë që qëndron në fakt në themel të saj: mënyrën si formohen bindjet, si ndërtohen raportet ndërmjet vajzave dhe djemve dhe si kuptohet respekti në jetën e përditshme”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar se parandalimi i dhunës kërkon punë të hershme me brezat e rinj, duke theksuar se një shoqëri nuk mund të jetë e barabartë nëse toleron pabarazinë që në procesin e edukimit.
“Nuk mjafton t’u themi fëmijëve se dhuna është e gabuar. Duhet t’i rrisim me aq shumë respekt për veten dhe për të tjerët, saqë dhuna, poshtërimi dhe pabarazia të mos kenë kurrë vend në mënyrën se si ata e kuptojnë botën”, ka shkruar ministrja.
Gërvalla ka shprehur mirënjohje për diskutimet, mendimet dhe vërejtjet e nxënësve, duke bërë të ditur se perspektiva e të rinjve do të ndihmojë edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031.
“Mirënjohëse për diskutimet e frytshme, mendimet e vërejtjet që nxënësit ndanë me ne. Perspektiva e tyre, shqetësimet dhe pritjet e tyre janë të rëndësishme dhe do të na ndihmojnë që edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031, zëri i brezit të ri të jetë pjesë e rrugës sonë drejt një shoqërie që nuk e toleron dhunën, në asnjë formë dhe ndaj askujt”, shtoi ajo.