Musliu kritikon konkursin për Bordin e RTK-së, Nagavci thotë se procesi u përmbyll me sukses

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Debat në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar lidhur me përbërjen e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ku deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar procesin e konkursit të fundit, duke e cilësuar atë si të padinjitetshëm dhe pa integritet, raporton Ekonomia Online.

Musliu, e cila tha se ka qenë pjesë e procesit të konkursit edhe në të kaluarën edhe tani, ka përmendur intervistimin e kandidatëve në orët e vona të natës, duke e kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi.

“Sot nuk jemi duke folur për konkursin e prillit, jemi duke folur për këtë konkursin e fundit për çka është pikë e rendit të ditës. Por nëse vërtet duhet të flasim për atë konkurs, ai ka qenë konkursi më padinjitetshëm, më pa integritet dhe falë atij konkursi, kryetare, e kemi sot këtë gjendje.Nëse duhet të flasim për atë konkurs, kam qenë pjesë e atij konkursi edhe atëherë edhe tani. Dhe ai konkurs – kam folur edhe atëherë, kam dalë në foltore – ka qenë ndër konkurset më të padinjitetshme e pa integritet që është zhvilluar ndonjëherë në këtë kuvend. Kemi bërë, i kemi thirrur kandidatët me intervistuar pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim në orën 1:00 pas mesnate. Dhe nëse ai konkurs ju bën me u krenuar, ju qoftë”, tha Musliu.

Në kundër-replikë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se procesi ka qenë i rëndësishëm për funksionalizimin e Bordit të RTK-së, i cili, sipas saj, kishte qenë pa bord.

Nagavci ka vlerësuar se procesi është përmbyllur me sukses, ndërsa ka inkurajuar të interesuarit që të aplikojnë në konkursin e radhës.

“Është e vërtetë që kemi punuar shumë gjatë, më shumë se 12 orë, sepse ka qenë tejet e rëndësishme që të funksionalizojmë bordin e RTK-së, sepse ka qenë pa bord. Dhe shumë mirë që procesi është përmbyllur me sukses.Siç e thashë, është e njohur edhe nga raporti për vendin. Jemi dëshmitarë të gjithë që kemi bërë një punë të mirë dhe tash ju lus që të vazhdojmë me proces të votimit. Po ashtu i inkurajoj të gjithë ata që konsiderojnë që mund të kontribuojnë si anëtarë të bordit, të aplikojnë në konkursin e radhës”, tha Nagavci.

Të ngjashme