GAP: Përmirësohet transparenca buxhetore në Kosovë, por ende mungojnë dokumente dhe mekanizma të konsultimit publik

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Instituti GAP ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur për vitin 2025, sipas së cilës Kosova ka shënuar përmirësim në tri dimensionet e vlerësimit: transparencën buxhetore, pjesëmarrjen publike dhe mbikëqyrjen buxhetore, raporton Ekonomia Online.

Sipas rezultateve të prezantuara nga ky institut, Kosova ka marrë 57 pikë nga 100 për transparencën buxhetore, 32 pikë për pjesëmarrjen publike dhe 61 pikë për mbikëqyrjen buxhetore.

Nora Latifi-Jashari nga Instituti GAP ka thënë se anketa bazohet në një pyetësor gjithëpërfshirës me më shumë se 200 pyetje dhe se vlerësimi mbështetet në dëshmi konkrete, përfshirë dokumentet buxhetore dhe legjislacionin përkatës.

Ajo ka theksuar se përgjigjet i nënshtrohen edhe shqyrtimit nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit dhe një rishikues i pavarur, duke siguruar kështu një proces të standardizuar dhe të bazuar në fakte.

“Anketa e buxhetit të hapur bazohet në një pyetësor gjithëpërfshirës prej më shumë se 200 pyetjeve dhe vlerësimi mbështetet në dëshmi konkrete, si dokumentet buxhetore e legjislacioni përkatës. Përgjigjet gjithashtu i nënshtrohen një vlerësimi të pa- vlerësimit ose rishikimi edhe nga partneriteti ndërkombëtar i buxhetit, si edhe një rishikues i pavarur, duke siguruar kështu një proces të standardizuar dhe të bazuar në fakte. Për Kosovën, ky proces ka një rëndësi të veçantë dhe sidomos edhe për neve si GAP, pasi në vitin 2024 Instituti GAP e solli për herë të parë këtë vlerësim në vend, përmes një raporti pilot të publikuar në atë kohë. Rezultatet e atij vlerësimi të parë ishin një pikënisje e rëndësishme për të kuptuar gjendjen e transparencës dhe llogaridhënies në financat publike të Kosovës”, ka thënë ajo.

“Në atë kohë, vendi kishte marrë 50 pikë nga 100 për transparencën buxhetore; vetëm 9 pikë për pjesëmarrjen publike dhe 59 pikë për mbikëqyrjen buxhetore. Sot, me publikimin e vlerësimit të ri për vitin 2025, kemi mundësi të shohim se çfarë ka ndryshuar e gjithashtu edhe, domethënë, çfarë ndryshimesh nëse ka pasur edhe në metodologji. Rezultatet tregojnë për një përmirësim në këto tri dimensione: transparenca është rritur, në 57 pikë, pjesëmarrja e publikut në 32 pikë, ndërsa mbikëqyrja buxhetore në 61 pikë. Këto janë zhvillime pozitive, por ende kemi dhe mbeten dokumente buxhetore që mungojnë ose nuk publikohen në kohë. Mungesë mekanizmave të mirëfilltë për konsultimin e qytetarëve, sidomos në nivelin qendror, dhe nevojë për forcimin e mbikëqyrjes institucionale të zbatimit të buxhetit”, tha ajo.

Ndërkaq, Rrona Zhuri nga Instituti GAP, gjatë prezantimit të raportit, ka shpjeguar se Anketa e Buxhetit të Hapur është një vlerësim i pavarur global, i cili mat transparencën, gjithëpërfshirjen dhe mbikëqyrjen e proceseve buxhetore.

Ajo ka bërë të ditur se në vitin 2025 anketa është realizuar në 82 vende të botës, duke shqyrtuar dokumentet dhe praktikat buxhetore të publikuara gjatë vitit 2024.

Sipas Zhurit, pyetësori përmban gjithsej 218 pyetje, prej të cilave 145 vlerësohen me pikë, ndërsa 73 të tjera shërbejnë për informata plotësuese.

Ajo, ka shtuar se vlerësimi ndahet në tri komponentë kryesorë: transparencën buxhetore, pjesëmarrjen publike dhe mbikëqyrjen buxhetore.

“Anketa e buxhetit të hapur, siç e përmendi edhe Nora, është një vlerësim i pavarur global; pra, vlerëson se sa transparente, sa gjithëpërfshirëse dhe sa të mbikëqyrura janë proceset buxhetore. Në vitin 2025, OBS u bë në 82 vende të botës dhe shqyrtoi dokumentet dhe praktikat buxhetore të publikuara gjatë vitit 2024. Për Kosovën, është hera e parë që po bëhet si vlerësim i plotë, meqenëse në vitin 2023 e kemi realizuar si një vlerësim të plotë. Qëllimi i këtij raporti është, pra, të vlerësojë nëse institucionet publikojnë dokumente buxhetore, por edhe se sa gjithëpërfshirëse janë ato dokumente dhe sa kanë mundësi qytetarët të ndikojnë në proceset buxhetore përmes përfshirjes së tyre. Po flas pak rreth metodologjisë së anketës. Pra, pyetësori bazohet në gjithsej 218 pyetje, nga të cilat 145 vlerësohen me pikë, ndërsa 73 të tjera shërbejnë për informata plotësuese. Vlerësimi ndahet në 3 komponentë: në transparencë buxhetore, pjesëmarrje publike dhe mbikëqyrje buxhetore. Atëherë, janë 109 pyetje gjithsej për transparencën, 18 pyetje për pjesëmarrjen e qytetarëve dhe 18 për mbikëqyrjen nga Kuvendi dhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Tek transparenca buxhetore, gjithsej janë shqyrtuar 8 dokumente buxhetore. Pra, janë dokumenti korniza afatmesme e shpenzimeve 2025-2027, projektligji për ndarjet buxhetore 2025, ligji për ndarjet buxhetore 2025, broshura informative për qytetarët për vitin 2024, raporti financiar tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor gjatë vitit 2024, rishikimi i mesvitit, raporti financiar vjetor i buxhetit të Kosovës për vitin 2023 dhe raporti i auditimit për vitin 2023. Tek pjesëmarrja publike, janë analizuar gjithsej 4 faza të përfshirjes së qytetarëve në procesin buxhetor”, ka thënë ajo.

“Është faza e formulimit, e miratimit të buxhetit, ekzekutimit dhe auditimit. Ndërsa tek mbikëqyrja, është vlerësuar roli i Kuvendit dhe i Zyrës Kombëtare të Auditimit përmes përfshirjes së tyre në proceset buxhetore. Ky vlerësim bazohet, pra, kryesisht në dokumente publike, në legjislacion dhe në burime të tjera dëshmuese. Përgjigjet janë shqyrtuar nga stafi i International Budget Partnership, gjithashtu edhe nga një rishikues i pavarur. Kryesisht në vende të tjera, këto përgjigje janë dërguar edhe tek Ministria e Financave për një rishikim të tretë, mirëpo në rastin tonë këtë vit nuk është, nuk ka qenë e mundur për shkak që kemi pasur një bllokadë institucionale”, tha ajo.

Duke paraqitur rezultatet e transparencës buxhetore, ajo ka bërë të ditur se nga tetë dokumentet e shqyrtuara, gjashtë janë publikuar me kohë, një është publikuar me vonesë, ndërsa një tjetër nuk është publikuar fare.

“Kemi përmirësime, megjithatë kjo nuk vjen tërësisht si rezultat i avancimit të praktikave institucionale. Kjo më shumë ka të bëjë me disa ndryshime metodologjike që janë bërë në anketë. Pra, në transparencë, metodologjia në vitin 2025 ka përfshirë edhe dokumente shtesë dhe ka ndryshuar kriteret e vlerësimit në disa pyetje. Tek pjesëmarrja, për dallim nga viti 2023, kemi përfshirë edhe nivelin lokal. Pra, janë përfshirë dëgjimet buxhetore komunale dhe këto në vitin 2023 nuk kanë qenë të përfshira. Prandaj, kjo ka ndikuar që me u përmirësu vlerësimi në vitin 2025. Tek mbikëqyrja ka pasur përmirësim të lehtë, pra, kryesisht është ndikuar nga miratimi më i hershëm i buxhetit dhe nga pjesëmarrja, përfshirja më e madhe e komisioneve parlamentare në shqyrtim të projektbuxhetit. Po kaloj tash sipas komponentëve tek rezultatet. Pra, e përmenda që në transparencë buxhetore gjithsej kemi marrë 57 pikë, nga 8 dokumentet që janë vlerësuar, vetëm 6 kanë qenë të publikuara me kohë, ndërsa 1 dokument nuk ka, nuk është publikuar me kohë, pra është publikuar me vonesë dhe ky dokument është broshura informative për qytetarët, që është publikuar diku në qershor të vitit, ndërsa sipas praktikave të mira duhet të publikohet brenda 3 muajve të parë të vitit. Rishikimi i mesvitit është një dokument që kërkohet sipas metodologjisë së OBS, mirëpo nuk është publikuar fare nga Ministria e Financave. Tek përmbajtja e dokumenteve, rezultatet kanë ndryshime të dukshme. Pra, dokumentet me rezultate më të mira janë vlerësuar raporti i auditimit me 95 pikë, korniza afatmesme e shpenzimeve me 89 pikë dhe buxheti i miratuar ose ligji i buxhetit me 89 pikë. Ndërsa dokumentet që kanë një vlerësim mesatar kanë qenë projektbuxheti, pra me 56 pikë, dhe raporti vjetor financiar me 59 pikë. Duhet të përmendet që dokumenti që ka më së shumti pyetje rreth tij në këtë anketë është projektbuxheti. Prandaj, ndoshta edhe kriteret e vlerësimit për këtë dokument janë më strikte”, tha ajo.

Në anën tjetër, drejtori i Buxhetit në Ministrinë e Financave, Salvador Elmazi, ka vlerësuar se përmirësimi i rezultateve është pozitiv, duke theksuar se më i rëndësishëm është trendi i përgjithshëm i avancimit, pavarësisht ndryshimeve në metodologjinë e vlerësimit.

Ai ka propozuar që Ministria e Financave dhe Instituti GAP të hartojnë së bashku një plan veprimi me hapa konkretë, përfshirë masa të vogla teknike, të cilat sipas tij mund të ndikojnë në përmirësimin e matjeve dhe rezultateve në vlerësimet e ardhshme.

“Po megjithatë është një përmirësim, sepse edhe kur ndryshon diçka në mathe, ajo vlerësohet që ia vlen edhe, kjo është një trend. Me rëndësi është trendi, është pozitiv dhe ka përmirësim. Tani, nga ajo çka dëgjuam, ka shumë detaje të cilat ne sigurisht s’mund këtu me i diskutu të gjitha, ëh, unë më shumë po e vërej nevojën ndoshta ka nevojë që ta bëjmë së bashku me GAP-in një, meqenëse është direkt i përfshirë në këtë, në këtë anketë. Ndoshta ta bëjmë njëfarë lloj plan veprimi me hapa konkretë. Shumë të vegjël, ndoshta shumë teknikë, po që ndikojnë në, në matje dhe në, në rezultate. Po këto mund me bisedu pastaj në, në proceset më të thjeshta. Ajo çka më bëri përshtypje, këtë metodologjia,  ishte çështja e rishikimit të buxhetit. Është shumë me rëndësi me sqaru, domethënë, edhe për pjesëmarrësit, edhe për opinionin publik, se rishikimi i buxhetit nuk është obligim ligjor. Domethënë, janë të përcaktuara rrethanat të cilat bëhet rishikim buxhetor. Formalisht, për shembull, sivjet ka pasur rishikim buxhetor”, ka shtuar ai.

“Vjet ka pasur rishikim buxhetor, jo në atë masën të ndryshimeve dhe të ndarjeve buxhetore, po rishikim buxhetor ka pasur. Pra, duhet me sqaru edhe te vendimmarrësit e këtij raporti që diçka që nuk është obligim ligjor, rishikim, domethënë, si i tillë, si proces nuk është i obligueshëm ligjërisht edhe duhet me pa mundësinë ndoshta me, me u adresu në formë tjetër kësaj. Te çështja e broshurës, hartimi i broshurës është proces puro teknik. Edhe krejt çka varet nga departamenti i buxhetit, domethënë, është hartuar me kohë, po ndoshta në hallkat e procesit derisa të merret vendimi për publikim ka mundësi të përmirësimit. Edhe do ta shohim bashkarisht qysh me përmirësu këtë proces. Besoj që është i adresueshëm shumë, shumë, shumë lehtë. Një gjë çka është shumë me rëndësi edhe e kam vërejt edhe në, edhe gjatë takimeve kur i ka, komisioni për buxhet i Kuvendit të Kosovës, takimet, domethënë, ku ftohet edhe Ministria e Financave, ku shqyrtohet edhe projektligji mbi ndarjet buxhetore, për buxhetin e Republikës së Kosovës, është shumë me rëndësi që edhe, edhe komisionet parlamentare, për shembull, të fillojnë ta bëjnë edhe një praktikë të tjetër të, të pyetjeve edhe me ministrat e linjës, prej buxhetit”, tha ai.

Të ngjashme