Çitaku: Synojmë që iniciativa e re ligjore për Dhomat e Specializuara të miratohet në të dy leximet gjatë dhjetorit

Prishtinë | 26 Nën 2026 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të partive politike shqiptare, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, organizatat e shoqërisë civile, akademikë dhe ekspertë juridikë, në kuadër të përgatitjeve për procedimin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për media, Çitaku ka theksuar se synimi është që procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, ndërsa ka bërë të ditur se objektivi është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet në Kuvendin e Kosovës gjatë muajit dhjetor.

Ajo ka thënë se para procedimit të iniciativës do të zhvillojë takime me drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, me qëllim të diskutimit për rëndësinë e unitetit dhe përgjegjësinë e përbashkët në këtë proces.

“Ndërkohë, unë do të ndërmarr edhe disa hapa tjerë të rëndësishëm para procedimit. Do t’i takoj të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, disa prej tyre tashmë i kam takuar. Dua që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij uniteti dhe për përgjegjësinë tonë të përbashkët në këtë betejë shtetërore”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se në këtë proces do të përfshihen edhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ata duhet të informohen drejtpërdrejt për secilin hap që po ndërmerret.

“Po ashtu, jam në kontakt dhe do të takoj edhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata e meritojnë të informohen drejt, në kohë dhe drejtpërdrejt për secilin hap që po ndërmerret”, ka thënë ajo.

Çitaku ka njoftuar gjithashtu se takime do të zhvillohen edhe me organizata të shoqërisë civile, akademikë, ekspertë juridikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere e mbështetëse.

Sipas saj, përmes këtyre konsultimeve synohet që iniciativa të marrë mbështetje dhe të përgatitet përmes një procesi gjithëpërfshirës.

“Gjithashtu, do të zhvilloj takime edhe me organizata të shoqërisë civile, akademikë, ekspertë juridikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere e mbështetëse. Dëshirojmë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe i denjë për të qenë i shënueshëm. Synimi ynë është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor”, ka deklaruar ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së.

Çitaku ka mirëpritur gatishmërinë e shprehur nga Bashkimi Evropian për konsultime lidhur me këtë proces.

Ajo i ka bërë thirrje BE-së që konsultimet të fillojnë sa më parë, duke theksuar se Kosova është e gatshme të angazhohet menjëherë.

“E katërta, por jo më pak e rëndësishme, e mirëpres gatishmërinë e shprehur nga Bashkimi Evropian për t’u konsultuar me ne në këtë proces. Sot, në fakt edhe sot, publikisht, e ftoj Bashkimin Evropian që t’i fillojmë këto konsultime pa humbur asnjë ditë. Ne jemi gati qysh nga sot. Kosova e ka përmbushur pjesën e saj të përgjegjësisë”, ka theksuar Çitaku.

Të ngjashme