Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Dardan Fusha, mori pjesë në Seminarin e Këshillit të Përgjithshëm me bankat qendrore të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), të mbajtur në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt.
Në kryesimin e Zëvendëspresidentit të BQE-së, Boris Vujčić, me pjesëmarrjen e anëtarit të Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Chippolone dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të BQE-së, seminari mblodhi guvernatorët e bankave qendrore për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare me interes të përbashkët, efektet ndërkufitare dhe sfidat me të cilat përballen bankat qendrore. Gjatë seminarit, Guvernatori Ismaili kontribuoi në dy diskutime të nivelit të lartë, njëri mbi lidhjet ekonomike dhe financiare me BE-në dhe eurozonën, ndërsa tjetri mbi zhvillimet në sistemet evropiane të pagesave.
Diskutimi i parë u përqendrua në lidhjet ekonomike dhe financiare, si dhe në efektet ndërkufitare ndërmjet vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate, nga njëra anë, dhe BE-së e Eurozonës, nga ana tjetër. Në diskutim u trajtuan mënyrat se si zhvillimet e jashtme ndikojnë në ekonomitë vendore, rreziqet gjeopolitike dhe energjetike, qëndrueshmëria e sektorit financiar dhe zhvillimet e reja strukturore, përfshirë inteligjencën artificiale.
Guvernatori Ismaili vuri në pah lidhjet e ngushta ekonomike dhe financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Rreth 34 për qind e eksporteve të mallrave të Kosovës shkojnë në BE dhe 43 për qind e importeve të mallrave vijnë nga BE-ja, ndërsa eksportet e shërbimeve drejt BE-së arrijnë në 23.6 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV). Remitancat përbëjnë 12.8 për qind të BPV-së dhe rreth 60 për qind e tyre vijnë nga shtetet anëtare të BE-së.
Si ekonomi e vogël, e hapur dhe plotësisht e euroizuar, Kosova përfiton nga euroja si një ankorë e fortë nominale dhe nga mungesa e rrezikut valutor në transaksionet në euro. Njëkohësisht, zhvillimet në eurozonë mund të ndikojnë shpejt në ekonominë vendore. Në këtë kontekst, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e politikave të shëndosha makrofinanciare, të rezervave të mjaftueshme mbrojtëse dhe të një sistemi financiar të qëndrueshëm.
Ai bëri të ditur se Kosova shënoi rritje reale të BPV-së prej 4.6 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa borxhi publik mbeti në nivel të ulët, në 16.1 për qind të BPV-së. Sektori financiar ruajti qëndrueshmërinë, me kreditë joperformuese në nivelin prej rreth 2 për qind dhe me nivele të kapitalit dhe likuiditetit dukshëm mbi kërkesat rregullatore.
Guvernatori Ismaili nënvizoi se lidhjet më të ngushta ekonomike dhe financiare me Bashkimin Evropian krijojnë mundësi të rëndësishme për Kosovën dhe njëkohësisht shtojnë nevojën për institucione të qëndrueshme e të përgatitura për t’iu përgjigjur efekteve ndërkufitare.
“Për Kosovën, integrimi më i thellë me BE-në është një rrugë drejt konvergjencës, si dhe një burim qëndrueshmërie, konkurrence dhe mirëqenieje afatgjatë”, tha Guvernatori Ismaili.
Në kuadër të të njëjtit program, Guvernatori Ismaili mori pjesë në një diskutim të veçantë me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, dhe guvernatorët e bankave qendrore pjesëmarrëse. Diskutimi trajtoi zhvillimet në sistemet e pagesave, përfshirë pagesat e shpejta, SEPA-n, euron digjitale dhe përdorimin e parasë së bankës qendrore për transaksione ndërmjet institucioneve financiare.
Guvernatori Ismaili theksoi se pagesat janë një nga fushat ku përafrimi me standardet evropiane dhe ndërlidhja me infrastrukturën evropiane mund të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Për Kosovën, si ekonomi plotësisht e euroizuar, me lidhje të ngushta tregtare me BE-në dhe me një diasporë të gjerë në shtetet e saj anëtare, pagesat në euro që kryhen më shpejt, me më shumë siguri dhe me kosto më të ulët kanë rëndësi të veçantë.
Në këtë kontekst, Guvernatori prezantoi përparimin e Kosovës drejt përfshirjes në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), përfshirë aplikimin formal të dorëzuar më 6 nëntor 2026 për përfshirje në shtrirjen gjeografike të SEPA-s, si dhe përgatitjet që po bëjnë BQK-ja dhe sektori financiar për fazat pasuese të procesit.
Guvernatori Ismaili iu referua edhe fillimit të zbatimit të TIPS Clone, një nismë e veçantë rajonale për pagesat e shpejta, e zhvilluar dhe e operuar nga Banca d’Italia, që mbështetet në të njëjtën teknologji si shërbimi TIPS i Eurosistemit. Ai theksoi rëndësinë e kësaj infrastrukture për zhvillimin e pagesave të shpejta në Kosovë dhe për ofrimin e shërbimeve të pagesave më efikase dhe të ndërveprueshme.
Në diskutim u trajtua edhe euroja digjitale. Duke pasur parasysh përdorimin e euros në Kosovë, Guvernatori Ismaili theksoi rëndësinë e përcjelljes nga afër të këtyre zhvillimeve dhe të vazhdimit të dialogut me BQE-në, në mënyrë që BQK-ja, sektori financiar dhe palët e tjera përkatëse të vlerësojnë ndikimet e mundshme dhe të përgatiten për to.
Guvernatori përmendi gjithashtu nismat Pontes dhe Appia, që kanë të bëjnë me përdorimin e parasë së bankës qendrore për transaksione ndërmjet institucioneve financiare, dhe shprehu interesin e BQK-së për të mbetur e informuar mbi zhvillimet që po formësojnë të ardhmen e pagesave evropiane.
Gjatë diskutimeve, disa guvernatorë, anëtarë të Këshillit Drejtues të BQE-së, morën fjalën për të mirëpritur ngjarjen dhe shprehën mbështetjen e tyre për thellimin e dialogut dhe të shkëmbimeve ndërmjet bankave tona qendrore në rrugën drejt integrimit evropian.
Takimet në BQE krijuan mundësi për shkëmbim profesional mbi çështje me interes të përbashkët për bankat qendrore dhe për forcimin e dialogut ndërmjet komunitetit evropian të bankave qendrore dhe bankave qendrore të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në BE. Seminari kishte karakter konsultativ dhe u zhvillua jashtë proceseve të anëtarësimit në BE, të adoptimit të euros dhe të vendimmarrjes për integrimin institucional.
BQK-ja do të vazhdojë dialogun dhe bashkëpunimin me bankat qendrore dhe institucionet evropiane, duke avancuar njëkohësisht reformat për ruajtjen e stabilitetit financiar, modernizimin e infrastrukturës financiare të Kosovës dhe përafrimin e mëtejshëm të sektorit financiar me standardet dhe praktikat përkatëse evropiane.
