OVL-UÇK dënon ofendimet ndaj Bashkim Jasharit, Gucati: Organet e drejtësisë të reagojnë

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka reaguar pas ofendimeve ndaj komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari.

Përmes një postimi në Facebook, Gucati ka thënë se ta quash ‘palaço’ një njeri si Bashkim Jashari, që vjen nga familja heroike dhe emblematike Jashari, familja që dha gjithçka, deri te më i vogli, për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot, sipas tij, është jo vetëm e papranueshme, por skandaloze dhe e turpshme, transmeton IndeksOnline.

“​Kushdo që del dhe përdor gjuhë të tillë ofenduese tregon vogëlsi, mosmirënjohje dhe mungesë të plotë respekti ndaj historisë dhe sakrificës më të madhe të kombit tonë. Emri Jashari nuk është thjesht një emër, është vetë themeli i lirisë sonë, amaneti dhe krenaria jonë kombëtare”, ka shkruar ai.

​Ai shtoi se për këtë gjuhë të ulët dhe të papranueshme, organet e drejtësisë duhet të reagojnë pa hezitim dhe të marrin masat e nevojshme ligjore.

“OVL – UÇK e dënon ashpër këtë gjuhë skandaloze dhe të turpshme, duke qëndruar në mbrojtje të dinjitetit të vlerave tona dhe të atyre që sakrifikuan për këtë vend. Liria nuk u dhurua  u pagua me gjak. Respekti për familjen Jashari është respekt për vetë lirinë tonë!”.

Të ngjashme