“Qetu ma keni pru” – përplasje verbale mes Ramës dhe Komandantit të Policisë për vendosjen e muralit të Nënës Terezë

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 11:14 | Nga Ekonomia Online

Vendosja e muralit të Nënë Terezës në hapësirat e Ministrisë së Ekonomisë në Prishtinë është përcjellë me tensione dhe përplasje verbale mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Policisë, raporotn Ekonomia Online.

Kjo situatë vjen pas përplasjes së disa ditëve më parë mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku të dy institucionet shkëmbyen akuza lidhur me mosrealizimin e vendosjes së muralit.

Ministria ia atribuoi Komunës përgjegjësinë për mosmarrjen e lejes së nevojshme, ndërsa Komuna e akuzoi Ministrinë për bllokim dhe sabotim të projektit.

Vendosja e muralit ishte planifikuar të bëhej sot në orët e mëngjesit, por punimet u ndalën pas ndërhyrjes së Policisë.

Gjatë përplasjes verbale, komandanti i Stacionit Policor Qendra, Fatmir Balaj, i tha Ramës se punimet po ndaleshin me urdhër të prokurorit.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës kërkoi nga ai që urdhri i prokurorit të paraqitej në formë të shkruar.

Në një moment, Rama i drejtohet komandantit të policisë duke i thënë: “Qitu ma keni pru. Vazhdo punën!”.

Ndërsa, Balaj i përgjigjet “Kushdo që e vazhdon punën arrestohet. Edhe tani çka ndodh?”.

Rama më pas kërkon të dijë se në bazë të cilit vendim po arrestohen njerëzit, duke kërkuar që të paraqitet urdhri i prokurorit.

“E në bazë të çfarë vendimi po arrestoni njerëz? Ama urdhrin e prokurorit, kështu, këtu qite urdhrin e prokurorit këtu”, ka thënë Rama.

Ndërsa, më pas Balaj pyet Leutrim Retkocerin, drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, se çfarë kishte thënë prokurori një ditë më parë.

“Prokurori ka thënë njoftoni edhe njëherë Ministrinë; deri në ora 2:00 e kanë pasur me na kthy përgjigje. S’kanë kthy përgjigje. Krejt dokumentet janë me vazhdu punimet. Komandant, le të vazhdojnë”, ka deklaruar Retkoceri.

Të ngjashme