Anamorava ndalet sot, Gjilani dhe Drita përballen në derbin e madh

Prishtinë | 29 Nën 2026 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Vëmendja e futbollit kosovar sot do të jetë e përqendruar në Gjilan, aty ku zhvillohet një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe më të zjarrta të futbollit në vend.

Gjilani dhe Drita do të përballen në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës, në një tjetër edicion të derbit të Anamoravës, që gjithmonë sjell rivalitet, emocione dhe atmosferë të veçantë.

Të dyja skuadrat hyjnë në këtë përballje pas rezultateve të ndryshme në xhiron e kaluar.

Gjilani u mposht 3-1 nga Ballkani në Suharekë, ndërsa Drita vjen me moral më të lartë pas fitores spektakolare 4-3 ndaj Feronikelit ’74, në shtëpi.

Edhe renditja e bën këtë përballje mjaft interesante.

Drita pozicionohet në vendin e tretë me 27 pikë, ndërsa Gjilani renditet i pesti me 22 pikë, pesë më pak se rivali lokal.

Përballja e parë mes këtyre dy skuadrave në këtë sezon kishte përfunduar pa fitues, me rezultat 0-0, prandaj të dyja ekipet do të kërkojnë këtë herë ta fitojnë derbin dhe të marrin pikë të rëndësishme për objektivat e tyre në kampionat.

Derbi i Anamoravës do të zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan dhe do të nisë nga ora 16:00.

Ndërkohë, sot në kuadër të xhiros së 15-të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje, ajo ndërmjet Feronikelit ’74 dhe Prishtinës, e cila nis nga ora 13:00.

Megjithatë, sytë e futbolldashësve në Anamoravë dhe më gjerë do të jenë te përballja mes Gjilanit dhe Dritës, aty ku rivaliteti lokal rikthehet në qendër të vëmendjes.

Të ngjashme